E Hënë, 2 Nëntor 2026

Investimet në modernizimin e flotës shqiptare, Vengu: Sipas standardeve të NATO-s

Baza ajrore e Farkës dhe investimet në standardet e NATO-s, por edhe arritja e objektivave të samitit të Hagës, mbeten thelbësore. Ndaj edhe për ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, puna për rivlerësimin strategjik të mbrojtjes vijon.

Në një takim në bazën ajrore të Farkës, ministri Vengu foli për modernizimin e flotës – teknologjinë dhe armatimin – që nga meteorologjia deri te sistemet e mbrojtjes kundërajrore.

Ministri i Mbrojtjes u ndal edhe në bazat ajrore të Gjadrit, Rinasit, Farkës, Kuçovës dhe Vlorës, për të cilat tha se zhvillimi i infrastrukturës do të shërbejë për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e Forcës Ajrore në misione ushtarake dhe mbrojtjen civile.

Gjithashtu, zhvillimi i infrastrukturës do të shërbejë edhe në specializimin e burimeve njerëzore, si me rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë dhe trajnimin e gjeneratës së re të pilotëve, teknikëve të bordit, kontrollorëve dhe ekspertëve të sistemeve pa pilot.

Në prezantimin e prioriteteve për modernizimin e flotës shqiptare, ministri Vengu vuri në dukje vijimin e punës në të gjitha komandat, strukturat operacionale dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar një forcë ajrore moderne, efikase dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›