E Martë, 3 Nëntor 2026

Investimet në rrjet, Balluku: 46 zona urbane dhe 143 zona rurale, ujë të pijshëm 24 orë

Në Fier nisi programi “Infrastruktura Bashkiake V”, i cili parashikon investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në disa prej qyteteve kryesore të vendit.

E pranishme në ceremoninë e organizuar me këtë rast, zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku siguroi se në kuadër të këtij programi do të vijojnë investimet në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve.

Balluku vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë, për sa i përket sektorit të ujësjellës kanalizimeve, një bashkëpunim ky i cili zgjat prej 12 vitesh dhe ka shënuar tashmë historinë e tij me arritjet në këtë sektor”.

Për të kuptuar nevojën e madhe që sektori i ujësjellës kanalizimeve ka për investime, Balluku theksoi faktin se stacioni i Kafaraj në Fier është ndërtuar në vitin 1964.

“Në atë kohë është ndërtuar për t’i shërbyer banorëve që jetonin në zonë edhe industrisë. Ndërkohë gjithçka që shoqëron këtë stacion pompimi dhe e gjithë teknologjia e përdorur është e vitit 1964”, tha ajo.

Balluku theksoi se ka shumë të tilla në territorin e vendit. “Na është dashur që me një punë intensive t’i zëvendësojmë, riparojmë ose t’i ngremë nga e para këto stacione pompimi apo gjithë rrjetin të trashëguar me një sërë problematikash”, tha ajo.

Balluku u shpreh se gjatë vitit 2023 ka qenë në fokus rritja e faturimeve dhe arkëtimeve. ajo theksoi se në kuadër të luftës kundër informalitetit ka pasur rritje me 10% në normën e arkëtimeve.

“Përmes reformës së thellë treguesit kanë nisur të përmirësohen, janë rritur arkëtimet, po punohet gjithashtu për mbledhjen e debiteve të mbartura ndër vite, por edhe ngritjen e një stafi sa më eficent”, tha ajo.

Balluku theksoi se aktualisht, janë 33 zona urbane dhe 98 zona rurale në të gjithë vendin të cilët furnizohen me ujë të pijshëm me cilësi të lartë 24 orë”.

“Ndërkohë përmes investimeve, numri i tyre do të rritet në fund të këtij viti. Me buxhetin 2024 dhe të gjithë paketat e tjera të programeve ne parashikojmë që të shtohen në listën e zonave që përfitojnë ujë të pijshëm të cilësisë së lartë, 24 orë edhe 13 zona urbane duke e çuar numrin në 46 të zonave urbane, dhe 45 zona rurale duke e çuar numrin në 143 zona rurale të shërbyera 24 orë me ujë, 9 prej të cilave janë zona turistike”, tha Balluku.

Programi “Infrastruktura Bashkiake V” financohet nga qeveria gjermane nëpërmjet KfW-së, qeveria zviceriane, Bashkimi Europian si dhe qeveria shqiptare dhe parashikon investime në qytetet e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Fierit, Beratit dhe Vlorës.

Nga ky program do të përfitohen rreth 266 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, 17.4 kilometra rrjet i ri kanalizimesh, 14 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim i lidhjeve ekzistuese, si dhe rreth 13 mijë matësa të rinj të instaluar.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›