E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Investimet në veri, Rama: Disa herë më shumë se në të gjitha vitet bashkë para se të vinim në qeveri

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot pretendimeve  për mungesë investimesh në veriun e vendit, ndërsa u shpreh se “janë disa herë më shumë sesa të gjitha investimet në infrastrukturë të bëra për veriun në të gjitha vitet bashkë përpara se ne të vinim në qeveri”.

Gjatë prezantimit të një projekti zhvillimor për Bulqizën, Rama u shpreh se po bëhet një narrativë që synon nxitjen e urrejtjes, duke pretenduar mungesën e investimeve në veri.

“Është e paimagjinueshme që narrativa perverse, diabolike dhe përçarëse, narrativa nxitëse e urrejtjes, e cila e ka dominuar 30 e kusur vite politikën tonë, për shkaqe që ju i dini dhe që unë nuk do t’i diskutoj këtu, vazhdon ushqen dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë e hanë narrativën që qeveria jonë nuk ka bërë investime në veri”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje Rrugën e Kombit, ku qeveria e mëparshme i ndërtoi vetëm trupin, por e la totalisht rrugëve nga pikëpamja e të gjitha pjesëve të tjera.

“Vetëm urat e ndërtuara janë sot atje si rezultat i kësaj qeverie. Rruga e Arbrit nuk është në jug, është në veri. Nuk është në jug, është në veri rruga që shkon deri lart në Vermosh, dhe atë e ka bërë kjo qeveri. Nuk është në jug, po është në veri rruga nga Shkodra në Velipojë, të cilën e premtuan sa herë iu erdhi nevoja për vota dhe e harruan sa herë i morën votat nga besnikëria e verbër e shkodranëve, që sot po e shohin me sytë e tyre çfarë dallimi ka mes nesh dhe atyre që i mbajtën peng, ashtu sikurse rruga Shëngjin-Velipojë nuk është në jug, është në veri”, shtoi Rama.

Rama renditi disa investime të tjera në infrastrukturë, si rruga e Lurës që është drejt përfundimit; rruga e Dukagjinit; rruga e Komanit për të cilën së shpejti hapet kantieri, pas disa problemesh të natyrës juridike.

“Ashtu sikundër pa i hyrë numërimit, shumë rrugë të tjera më pak domethënëse për ata që na dëgjojnë në tërësi, po shumë domethënëse për të gjitha komunitetet e veriut të Shqipërisë, nuk janë në jug, po janë në veri. Ashtu sikundër rruga e Valbonës, rruga që të çon në Valbonë që ishte shirit inaugurimi i hedhur përtokë, se s’kishte as rrugë dhe kishte vetëm borxhe edhe për kompaninë atje, nuk është në jug, por është në veri”, shtoi Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe investimet në agroturizëm në Bajram Curri me mbështetjen e qeverisë përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

“Kjo ka lënë në të gjithë Shqipërinë gjurmët e prekshme të rreth 500 projekteve transformuese për bujqësinë, nuk janë në jug, po janë në veri dhe nëse deri dje e vetmja pikë ku mund të imagjinonin të gjithë se mund të ndalonin ishin shkallët përpara turizmit të Peshkopisë, ku rri Astriti atje të shkallët. Sot, sa e sa dyer të tjera janë hapur, sa e sa familje të tjera janë vetëpunësuar, sa e sa ekonomi të tjera të vogla janë ndërtuar apo po ndërtohen”, tha ai.

Rama bëri të ditur po ashtu se brenda pak kohësh do të finalizohet edhe “Paketa e maleve”, e cila është në konsultim publik aktualisht.

“Kjo do t’u japë mundësi të gjithë shqiptarëve nga të gjitha zonat malore që të vijnë pa asnjë pengesë, për shkak të mungesës së titujve të pronësisë. Me një mekanizëm të drejtpërdrejtë mbështetje, me shumë pak hapa procedurale, shumë pak letra, por shumë të konsoliduar në mbështetje të së drejtës për të zhvilluar pronën e stërgjyshërve, ata mund të investojnë këtu kursimet e tyre dhe të jenë 10 vjet pa asnjë taksë”, tha Rama.

“Ky vend po bëhet dita-ditës dhe ky vend nuk ka vend në vijën e parë të frontit dhe në udhëheqjen e tij për “Sudet” dhe për “Rrapushët” që e kanë persekutuar Shqipërinë që nga viti 1912 me të gjitha përrallat dhe fantazitë keqbërëse të tyre. Sot janë përsëri vërdallë, dhe sa më shumë do t’i afrohemi momentit të gjykimit të popullit ku të gjithë do marrin atë që iu takon, aq më shumë do shikoni t’ju vijnë me qilima fluturues nëpër dyer edhe t’ju thonë: “Ma ble qilimin, se unë do të çoj në hava””, shtoi Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›