Investimi në Shkodër, si po ndryshon pamje spitali
Pas një ndërhyrjeje totale, qyteti i Shkodrës do të ketë një spital pediatrik me sipërfaqe shfrytëzimi disa herë më të madhe se ajo ekzistuesja.Spitali për të rritur, pas investimit do të jetë i pajisur me aparatura bashkëkohore dhe një poliklinikë të qytetit krejtësisht të rehabilituar. Një godinë e re me një kat për endoskopinë, 250 metra katrorë, do të vendoset në krah të repartit ekzistues të diagnostikimit, përballë poliklinikës, dhe do të lidhet fizikisht me këtë të fundit. Ky është një investim i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEP) dhe qeverisë shqiptare.
Punimet në spitalin e rajonal të Shkodrës janë inspektuar ditët e fundit nga guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, Raphawl Alomar dhe zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia. Zv. ministri Spahia e ka njohur guvernatorin Alomar dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj banke me ecurinë dhe detaje të këtij ndryshimi rrënjësor që po kryhet në spitalin e Shkodrës dhe atë të Tiranës. Gjatë fjalës së tij, zv.ministri vuri në dukje vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar investimet në sektorin shëndetësor me qëllim ngritjen në parametrat europianë të këtij sistemi, duke i konsideruar zhvillimet në këtë sektor si tepër të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, duke e falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, z. Spahia shprehu dëshirën që kjo frymë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Investimi
Ndërhyrja në infrastrukturën e spitalit rajonal të Shkodrës ka filluar në mesin e tetorit 2009. Janë realizuar 67% e punimeve totale të projektit. Punimet janë përqendruar kryesisht në godinën e Pediatrisë, ku ka përfunduar 85 për qind e ndërhyrjes. Godina e re e spitalit të Shkodrës ka një sipërfaqe prej 5640 metrash katrorë. Nga ana funksionale, në katin nën tokë janë planifikuar: mirëmbajtja, farmacia, arkivi, magazina, zona teknike. Në katin 0: Shërbimi Infektiv me 14 shtretër, Shërbimi i TB, me 14 shtretër dhe Shërbimi i Endoskopisë. Në katin e parë: Neurologjia, me 38 shtretër; në katin e dytë: Dializa, me 10 vende, Nefrologjia ambulatore, administrata; në katin e tretë: Laboratori i gjakut dhe ai klinik, administrata. Kuzhina e re dhe lavanteria e re do të vendosen në katin 0 dhe në katin e parë të godinës. Godina e Spitalit Pediatrik po rehabilitohet totalisht dhe një kat i ri shtesë ka përfunduar. Shërbimi i Pediatrisë ka 53 shtretër dhe 6 shtretër reanimacioni. Poliklinika e qytetit, me të gjitha shërbimet mjekësore, do të transferohet në zonën e spitalit dhe një godinë ekzistuese me sipërfaqe prej 1100 metrash katrorë do të rehabilitohet për këtë qëllim. Po ashtu, gjatë fazës së tretë, sistemi elektro-mekanik do të përmirësohet dhe një transformator dhe gjenerator do të instalohen.
Banka
Gjatë vizitës, Alomar u shpreh se bashkëpunimi për zbatimin e projekteve të financuara nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës është një shembull i vërtetë suksesi. Në këtë kontekst, zoti Alomar theksoi se fushat dhe projektet e përzgjedhura për financim janë thelbësore për procesin e integrimit europian. Raphael Alomar ndodhet në Shqipëri me rastin e mbledhjes së 46-të vjetore të Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB). Ai ka zhvilluar takime me personalitete të rëndësishme të vendit, me kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, njëkohësisht zv.kryeministër, Edmond Haxhinasto. Në përfundim të vizitës në kryeqendrën veriore të vendit, zv.ministri Spahia nuk ka harruar ta falënderojë zotin Alomar për përzgjedhjen e Shqipërisë si vendi ku do të mbahet takimi i mbledhjes së 46-të vjetore të Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB), duke e konsideruar këtë aktivitet si një mundësi për promovimin e zhvillimeve rrënjësore dhe progresit të arritur nga Shqipëria.