E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Koha për Bashkim Kombëtar

Kreshnik Spahiu, në takimin e djeshëm në Prizren

Prizreni, kryeqendra historike e shqiptarëve, dje, në përkujtimin e 133-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte tërësisht i skuqur nga simbolet kombëtare.Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje ishin përkujdesur që gjithçka të fliste kuq e zi, që nga kalaja sipër qytetit me një flamur gjigant e deri tek urat karakteristike të Prizrenit. Në aktivitetet e mbajtura në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare, të ftuar nga mbarë hapësira shqiptare, i kanë mëshuar fort faktit se idetë e Lidhjes janë edhe sot aktuale. Nuk munguan dhe qytetarë nga Tirana enkas për këtë festë. Më pas, përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë mbajtur një aktivitet të zgjeruar në Pallatin e Kulturës së qytetit. Kreu i Aleancës, Kreshnik Spahiu, ka apeluar që në këtë ditë të shënuar për historinë e popullit shqiptar, mbarë shqiptarët dhe politika të mendojë për çështjen e pazgjidhur kombëtare dhe për bashkimin e kombit në një. Sipas Spahiut, mungon një platformë për Çështjen Kombëtare nga indiferenca e politikës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kjo platformë, sipas tij, duhet të jetë për bashkim kombëtar. E njëjta gjuhë, të njëjtat zakone, të njëjtat doke, por jo i njëjti flamur, jo i njëjti himn, dhe jo e njëjta Kushtetutë, u shpreh

Flamujt kuq e zi para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Spahiu, duke iu referuar asaj që shqiptarët jetojnë në më shumë se dy shtete, pavarësisht se dy prej tyre janë shqiptare. Në bazë të parimit universal të vetëvendosjes, ka ardhur koha që edhe shqiptarët të realizojnë të drejtën e tyre universale për bashkim, ka thënë kreu i Aleancës Kuq e Zi, duke risjellë në vëmendje se kudo ku jetojnë shqiptarët, janë shembull i qartë i bashkëjetesës etnike dhe fetare. Duke përmendur dhe tentativën për regjistrimin e popullsisë në baza etnike, Spahiu ka veçuar se Beogradi dhe Athina nuk kanë qenë aspak dashamirës ndaj Shqipërisë. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në prezencë dhe të Princit Leka dhe kreut të Legalistëve, Ekrem Spahiu, ka bërë thirrje që shqiptarët të ndalojnë në përshëndetjet me grushte, me dy gishta me dorë apo me mënyra të tjera, por, sipas tij, ata tashmë duhet të përshëndesin me flamur, duke vënë dy duart e kryqëzuara në gjoks, që me gishtërinj të hapur japin konfigurimin e shqiponjës në flamur. Në mbështetje të ideve për bashkim kanë dalë shumë akademikë e personalitete të njohura, por edhe kreu i komunës Prizren, prof.dok. Ramadan Muja. Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi dhe fjala e futbollistit gjakovar të Kombëtares sonë, Lorik Cana. Futbollisti kuq e zi tha se kudo që është, mendon, vepron e jeton si shqiptar.

LIDHJA

Qendra e festimeve të djeshme ishte Kompleksi i Lidhjes, i rindërtuar pas djegies që forcat serbe i bënë kësaj qendre të rëndësishme historike dhe muzeale, duke hequr dhunshëm dhe monumentet e dy prijësve të lidhjes, Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit. Lidhja kishte si qëllim ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga copëtimi i Fuqive të Mëdha dhe ndaljes së sundimit të Portës së Lartë.

PRIZREN/ JONUZ HALLACI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›