E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, përgjaket dita e zgjedhjeve

Shënohen 38 viktima dhe 100 të plagosur në votimet kyçe për fatin e vendit

Iraku votoi për të zgjedhur Parlamentin e ri për të dytën herë, që pas rrëzimit nga pushtetit të ish-diktatorit Sadam Husein.

Por, në ditën e zgjedhjeve parlamentare, Bagdadi dhe qytete të tjera të Irakut janë shndërruar në një teatër të vërtetë atentatesh. Të paktën 38 persona kanë humbur jetën, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur, sipas një bilanci të bërë nga Ministria e Brendshme. Kryeministri aktual, Nuri Al Maliki, tha se atentatet terroriste “nuk do të dobësojnë moralin e irakianëve dhe as do influencojnë në vazhdimin e procesit zgjedhor”. Kështu, pavarësisht masave të jashtëzakonshme të sigurisë, shumë pak orë pas hapjes së qendrave të votimit në kryeqytet janë dëgjuar të shtëna armësh. Një tank ka rrafshuar një pallat rezidencial, duke shkaktuar 12 të vdekur dhe 10 të plagosur, ndërsa një bombë ka rrëzuar një tjetër ndërtesë, ku u shënuan katër të vdekur dhe tetë të plagosur. Goditje me armë janë dëgjuar edhe në Zonën e Gjelbër, në sektorin super të mbrojtur të Bagdadit ku gjenden ndërtesat qeveritare dhe selitë e shumë ambasadave të huaja. Përveç Bagdadit, shpërthime janë regjistruar edhe në Jatreb, ku tre persona janë plagosur nga një bombë. Ndërkohë, Bakuba është tronditur që në orët e para të mëngjesit, pasi 5 shpërthime, që kanë shkaktuar edhe viktima, kanë ndodhur në pesë qendra votimi. Dy shpërthime kanë ndodhur edhe në Mosul, por pa shkaktuar asnjë dëm njerëzor. Për të evituar këto situata, policia kufitare dhe aeroportet janë mbyllur që prej të shtunës e do të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu deri në orën 05.00 të së hënës. Ndryshe nga sa ndodhi në vitin 2005, ushtarët amerikanë nuk do të marrin pjesë në operacionet për ruajtjen e sigurisë gjatë votimeve. Po ashtu, autoritetet e sigurisë irakiane kanë raportuar se i është hequr e drejta e qarkullimit me makina. “Prishja e qetësisë në këtë ditë nuk do ta ulë moralin e irakianëve që e kanë mirëpritur këtë sfidë të demokracisë dhe janë të vendosur të shprehin votën e tyre. Votimet u mbyllën të qeta dhe terroristët nuk na frikësojnë”, tha Kryeministri Al Maliki. Në prag të këtij votimi të rëndësishëm për praninë në të ardhmen të trupave amerikane në Irak, Al-Kaeda i ka bërë thirrje popullsisë që të qëndrojë larg qendrave të votimit, për shkak të rrezikut që mbart kjo ditë. Thuajse 19 milionë irakianë do të hedhin votën e tyre në 18 provinca, ku u duhet të zgjedhin mes 6.218 kandidatëve (1801 gra) për të zgjedhur 325 deputetë të Parlamentit. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 17.00 me orën lokale. Rezultatet përfundimtare nuk priten të dalin para fundit të marsit dhe formacioni i ekzekutivit të ri mund të kërkojë muaj të tërë, pavarësisht se mandati i qeverisë së “vjetër” mbaron më 16 mars. Sipas raportimeve nga mediat vendase, pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët. Këto zgjedhje u zhvilluan gjashtë muaj para tërheqjes së trupave amerikane që do t'i hapin rrugën tërheqjes së plotë të ushtrisë në fund të vitit 2011 pas nëntë vjet pushtimi. Rreth 200 mijë policë irakianë, që u ishte besuar siguria në ditën e zgjedhjeve, nuk arritën të bënin asgjë për të parandaluar atentatet. Kjo, sepse pavarësisht se policia ndaloi qarkullimin me automjete të vogla, lëvizja me kamionë dhe mjete të tjera nuk ishte ndaluar.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›