Po, ai mundet!
është 38 vjeç dhe duket aq i ri saqë kur ishte një deputet i Kongresit të Floridës ngatërrohej me një shitës. Madje shpesh i thoshin: “Shko mi bëj këto fotokopje”. Në “Twitter”, që i pëlqen ta përdorë edhe më shumë se konferencat e shtypit, flet jo vetëm për politikën, por edhe se sa herë bëhet gati me të shoqen për të dalë për darkë, apo tekstet e “Snoop Dogg”-ut, reperi amerikan që është edhe një nga këngëtarët e tij të preferuar. Kur u shtrua problemi i mbledhjes së fondeve për fushatën e tij elektorale, ai citoi disa vargje të këngës “Gin and juice” (Xhin dhe lëng frutash): “Mendjen e kam te paratë e mia/ dhe paratë i kam në mendjen time”.
Sipas disa anëtarëve të partisë, ylli i ri Partisë Republikane, Marco Rubio, është tepër i shkujdesur me paratë. Si Presidenti i Kongresit të Floridës është kritikuar ashpër për shpenzimin e mijëra dollarëve për ndërtimin e një restoranti rezervuar vetëm për deputetët. Para pak ditësh, gazeta “Miami Herald” shkroi se gjatë dy viteve të fundit, Rubio ka përdorur kartën “American Express” të partisë për 20 mijë dollarë për shpenzime personale, ku përfshihet edhe riparimi i makinës (një mijë dollarë), shpenzime për shtëpinë e tij private (një mijë dollarë të tjerë), darka të ndryshme (4100 dollarë) dhe prerjen e flokëve (133 dollarë).
Rubio thotë se bëhet fjalë për një gabim numërimi dhe se i ka kthyer një pjesë të mirë të parave. Megjithatë duket se ai grusht i shpenzuar dollarësh nuk e ka frenuar inatin e tij të zbresë në betejën për emërimin si kandidati republikan në zgjedhjet për Senatin e Floridës, kundër guvernatorit Charlie Crist. Një vit më parë, Crist ishte 30 pikë në avantazh në sondazhe, ndërsa tani ka rënë nën kuotën e 18 pikëve dhe takimet e tij prishen nga anëtarë të lëvizjes “Tea party” (kujton revoltën e Bostonit kundër taksave të vendosura kolonistëve amerikanë nga Anglia). Manifestuesit kanë pankarta, mbi të cilat shkruhet: “The hug” (përqafimi) për të kujtuar një nga mëkatet morale të guvernatorit: përqafimin e shkurtër të Presidentit ‘të urryer’ Barak Obama, pasi e prezantoi në skenë në Fort Myers.
Për të kuptuar se ku do të shkojë politika amerikane duhet të kthehemi në Florida, ku në vitin 2000 filloi ‘epoka’ e republikanit George W. Bush, e ku këtë vit zhvillohet një betejë mes dy shpirtrave të lëvizjes konservatore. Nga njëra anë qëndron Crist, që vetëm një vit më parë dukej sikur përfaqësonte të ardhmen e partisë: një moderator me shumë eksperiencë, i aftë të tërheqë jo vetëm besnikët e partisë, por edhe të pavarurit e disa demokratë. Nga ana tjetër, Rubio, që në konferencën e fundit “Conservative political action konference”, ku matet pesha e republikanëve për vlerat më konservatore, bëri për vete publikun me një frazë të thjeshtë: “Amerika ka një Parti Demokratike. Nuk është e nevojshme që edhe republikanët të sillen si demokratët”.
Te djaloshi Rubio mbështeten hapur ish-strategu ‘bushian’, Karl Rove dhe Rush Limbaugh, ylli konservator i “talk-show”-ve, që jeton në Florida. Atij i është kushtuar edhe kopertina e revistës së përjavshme “National Review” me “klithmën”: “Po, ai mundet!”. Si për ironi të fatit, Rubio krahasohet pikërisht me Presidentin Obama për aftësinë e tij të përzierjes së temave të autobiografisë me vlerat konservatore për të cilat shquhet. Siç tregon shpesh, i ati ka emigruar nga Kuba dhe ka punuar si barist 16 orë në ditë, deri kur mbushi 70 vjeç për të ushqyer katër fëmijët e tij. E ëma në fillim pastronte dhomat e hotelit, pastaj u bë kasiere në magazinat e mëdha “Kmart”.
Por, pavarësisht vështirësive që i sollën nga Majami në Las Vegas, para se të ktheheshin në Florida, familja Rubio nuk e humbi kurrë shpresën në ëndrrën amerikane: “Do ta kujtoj gjithmonë gjyshin tim kur më thoshte se ky është i vetmi vend në botë ku e ardhmja jote nuk kushtëzohet nga qyteti ku ke lindur”, tregon Rubio, që arriti të diplomohej për Juridik me një bursë studimi që lidhej me futbollin (luante në mbrojtje) dhe të fitonte rreth 300 mijë dollarë në vit me studion e tij ligjore.
Një djalosh tepër komunikues, Rubio, është mjeshtër në nënvijëzimin e diferencave të vogla që e ndajnë nga rivali Crist. Ndryshe nga guvernatori, Rubio nuk mbështet ndërhyrjen stimuluese të Obamës në ekonomi, gjë e cila ka bërë që militantët e “Tea party” të flasin për Presidentin sikur të ishte një socialist i rrezikshëm: në vend që të investonte 787 miliardë dollarë, ai duhet t’i kishte pakësuar taksat. Rubio është gjithashtu një kundërshtues i fortë i abortit.
Ai nuk akuzon Shtëpinë e Bardhë që është populluar me komunistë, siç thotë idhulli i “Tea party”, Glenn Beck, për “Fox News”, por shprehet: “Pavarësisht gjithçkaje, ka nga ata politikanë në Uashington që mendojnë ende se Amerika duhet të adaptojë politika ekonomike të vendeve prej ku janë larguar shumë amerikanë”.
Mes idhujve më të mëdhenj të Rubio është Jim DeMint, senatori republikan i Karolinës së Jugut, që së fundmi ka deklaruar: “Do të preferoja 30 republikanë në Senat që besojnë në parimet e qeverisë së kufizuar, të tregut të lirë, të lirisë së njerëzve, të cilët pasi kalojnë moshën 60-vjeçare nuk besojnë tek asgjë”. Që Rubio do të jetë pjesë e grupit të parë, këtë nuk e vë në dyshim askush, por çfarë do të ndodhë më pas me të?
#