E Diel, 1 Nëntor 2026

Irak, qeveria pranon se 7 persona janë vrarë në një kamp

Zëdhënësi i qeverisë, Ali al-Dabbagh kishte mohuar më parë njoftimet për të vrarë gjatë përleshjeve të dy ditëve më parë ndërmjet policisë dhe demonstruesve, të cilët u përpoqën të bllokonin hyrjen e kampit "Ashraf", që prej dy dekadash ka qenë streha e grupit "Muxhahedinët e Popullit të Iranit".
  
Iraku, Irani dhe Shtetet e Bashkuara e cilësojnë këtë grup disident si organizatë terroriste.  Banorët e kampit deklaruan se forcat irakiane ndërhynë me armë duke qëlluar, keqtrajtuar dhe arrestuar shumë prej refugjatëve. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, 40 persona mbetën të vrarë, të paktën gjashtë prej tyre të qëlluar nga policia, ndërsa qindra të tjerë u plagosën. Duke pranuar se disa persona kishin humbur jetën gjatë këtij operacioni, Ali al-Dabbagh shpjegoi edhe mënyrën se si ata u vranë.
    
 "Pesë prej tyre u hodhën përpara automjeteve të policisë irakiane. Kjo nuk është vdekje nga të shtënat e policisë, por pasojë e rebelimit", shpjegoi ai. Dy persona të tjerë u qëlluan nga qitësit e grupit brenda kampit ndërkohë që tentonin të largoheshin, tha Dabbagh. Qeveria iraniane kërkon ta mbyllë kampin dhe t'i kthejë të gjithë emigrantët në Iran, ose në një tjetër vend.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›