E Diel, 1 Nëntor 2026

Iran, Ahmadinexhad bën betimin si president

President i rizgjedhur i Iranit Mahmoud Ahmadinexhad ka bërë të mërkurën betimin, rreth tetë javë pas një procesi zgjedhor shumë të kontestuar që u pasua nga trazirat më të rënda në vend që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe shkaktoi përçarje në radhët e elitës politike dhe fetare.
Presidenti konservator 53-vjeçar u betua përpara parlamentit, ndërkohë që forca të shumta të rendit ishin dislokuar në rrugët pranë ndërtesës së parlamentit për të parandaluar çdo protestë të kundërshtarëve reformatorë, të cilët pretendojnë se zgjedhjet e 12 qershorit janë manipuluar."Si President i Republikës Islamike, betohem përpara Kuranit të shenjtë, kombit iranian dhe Zotit se do të jem mbrojtës i besimit fetar, i Republikës Islamike dhe Kushtetutës", deklaroi Ahmadinexhad gjatë ceremonisë së betimit.
Teksa Ahmadinexhad betohej, qindra mbështetës të kandidatit opozitar Mousavi ishin grumbulluar pranë godinës së parlamentit, por nuk ka pasur përplasje me forcat e rendit dhe anëtarë të milicisë fetare Basij. Policia arrestoi të paktën 10 protestues, tha dëshmitari, duke shtuar se telefonat celularë ishin jashtë funksionit për shkak të ndërprerjes së sinjalit.
Ahmadinexhad deklaroi se Irani kërkonte një bashkëjetesë paqësore me pjesën tjetër të botës, por ndërkohë do t'i rezistojë çdo presioni.
Presidenti amerikan Barack Obama dhe liderët e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë kanë vendosur që të mos përgëzojnë Ahmadixhadin për rizgjedhjen e tij. Por ndërkohë, Shtëpia e Bardhë pranoi se Ahmadinexhad ishte "lideri i zgjedhur i Iranit".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›