E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, qindra protestues po mbahen në burg

Policia e Iranit ka njoftuar se po i mban në burg shumicën e të arrestuarve gjatë protestave të fundit antiqeveritare.

Shefi i policisë, Ismael Ahmadi Mohadam, tha se 300 nga 500 të arrestuarit nga policia ende ndodhen në paraburgim. Një numër protestuesish të tjerë po mbahen nga forcat e sigurisë.

Qeveria iraniane u bëri thirrje mbështetësve të saj që të mbajnë tubime në mbarë vendin për t’i dënuar protestat. Të martën, tubime të tilla u mbajtën në tri qytete.

Presidenti Mahmud Ahmadinexhad i hodhi poshtë protestat e së dielës në Teheran dhe gjetkë që lanë të paktën tetë të vdekur, duke i quajtur “lojë e urdhëruar nga zionistët dhe amerikanët”.

Zyrtarë të OKB-së për të drejtat e njeriut thanë se janë të shokuar nga “numri i madh i vdekjeve, plagosjeve dhe arrestimeve” që autoritetet u bënë protestuesve në Iran.

“Informatat lënë të kuptohet për akte të dhunës së tepruar nga forcat e sigurisë dhe milicia paramilitare Basixh”, ka thënë Navi Pillai, komisioner i Lartë për të Drejtat e Njeriut, transmeton REL.

Të paktën tetë njerëz u vranë në përleshjet ndërmjet protestuesve të opozitës dhe forcave të sigurisë të dielën në Teheran, në trazirat më të rënda në muajt e fundit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›