Irani akuzon Perëndimin për luftë psikologjike
Irani ka theksuar se disa shtetas të huaj, të cilët kanë zhvilluar luftë psikologjike kundër sistemit të klerikëve, janë arrestuar muajin e kaluar gjatë përleshjeve të përgjakshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Teheran.
Në përleshjet më të përgjakshme, që nga zgjedhjet e kontestuara presidenciale, të cilat u zhvilluan më 12 qershor, tetë persona u vranë më 27 dhjetor, ndërsa mbi 40 reformatorë, përfshirë këtu edhe katër këshilltarë të udhëheqësit të opozitës, Mir Moussavi, janë arrestuar që nga ajo periudhë nga autoritetet.
“Disa të huaj janë në mesin e atyre, të cilët janë arrestuar në ditën e Ashureve Ata kanë udhëhequr një luftë psikologjike kundër sistemit. Ata kanë hyrë në Iran dy ditë para Ashureve”, deklaroi Ministri iranian për Inteligjencë, Heidar Moslehi, pa dhënë me këtë rast përkatësinë kombëtare të të huajve të arrestuar.
Autoritetet iraniane në vazhdimësi kanë akuzuar udhëheqësit e opozitës për lidhje me armiqtë e jashtëm, duke tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë më protesta kundër qeverisë, pas trazirave që shpërthyen ditën e Ashureve.
Moslehi theksoi se njëri prej të huajve të arrestuar do t’i dorëzohet nesër organeve të drejtësisë.
As qeveria, e as opozita dhe ithtarët e saj, deri me tani nuk kanë dëshmuar ndonjë apetit të madh për kompromis dhe situata ka eskaluar dukshëm që nga koha kur janë zhvilluar zgjedhjet.