Irani dënon praninë SHBA-ve në Irak: Edhe një amerikan i vetëm po të jetë këtu, është e tepërt

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei ka dënuar praninë e ushtrisë amerikane në Irak.
Këtë qëndrim lideri i Iranit e mbajti gjatë një takimi me presidentin irakian Abdul Latif Rashid në Teheran të shtunën.
“Prania e qoftë edhe një amerikani në Irak është e tepërt”, ka thënë Khamenei, sipas raportimeve të medias shtetërore iraniane IRNA.
“Amerikanët nuk janë miq me askënd dhe nuk janë as besnikë ndaj aleatëve të tyre evropianë” tha Khamenei, teksa bëri thirrje që Irani dhe Iraku të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh.
Komentet e Khameneit pasojnë udhëtimin e paparalajmëruar të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin në Bagdad muajin e kaluar, kur Austin tha se trupat amerikane ishin “gati të qëndronin në Irak”.
Presidenti irakian Rashid, në një deklaratë pas takimit të tij me Khamenein, nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve Irak-Iran, por nuk iu përgjigj komenteve të tij për praninë e amerikanëve në Irak.
Austin, i cili në mars u bë zyrtari më i lartë i kabinetit që vizitoi Irakun që nga fillimi i administratës së Bidenit, kishte thënë se ishte atje për të “riafirmuar partneritetin strategjik SHBA-Irak ndërsa ne ecim drejt një Iraku të sigurt, më të qëndrueshëm dhe sovran.
Vizita e tij erdhi disa ditë përpara 20-vjetorit të pushtimit të Irakut nga SHBA-ja që rrëzoi nga pushteti diktatorin Sadam Husein, transmeton CNN.
Iraku është një partner i rëndësishëm i SHBA-së në fushatën për të mposhtur ISIS-in. Por ndryshe nga Siria, ku forcat amerikane operuan së bashku me Forcat Demokratike Siriane dhe partnerë të tjerë, ushtria amerikane shërben me një rol këshillues dhe ndihmës në Irak, pasi ka përfunduar zyrtarisht misionin luftarak në Irak në vitin 2021.
/rtsh.al/