E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Irani fillon ndërtimin e një centrali të ri bërthamor, do të kushtojë deri në 2 miliardë dollarë

Irani ka filluar ndërtimin e një centrali të ri bërthamor në provincën jugperëndimore të Khuzestanit, njoftoi Agjencia e Energjisë Atomike e Iranit (OIEA).

Vendi i ndërtimit , fillimin e të cilit në televizionin shtetëror e ka paralajmëruar kreu i kësaj organizate, Mohammad Eslami , pritet të zgjasë shtatë vjet. Termocentrali 300 megavat, që po ndërtohet në rajonin e Darhovinit, do të kushtojë nga 1.5 miliardë deri në 2 miliardë dollarë. Irani ka gjithashtu një termocentral bërthamor 1,000 megavat në Bushehr, në skajin jugor të vendit.

Si pjesë e një marrëveshjeje historike të arritur në vitin 2015, Irani kishte rënë dakord të ngrinte aktivitetet e tij të pasurimit të uraniumit në uzinën nëntokësore Fordow, që ndodhet 180 kilometra në jug të Teheranit.

Teherani ishte zotuar të kufizonte kufirin e pasurimit në 3.67% sipas kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga Irani, nga njëra anë dhe Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca, Britania, Rusia dhe Gjermania nga ana tjetër.

Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) , siç quhet marrëveshja, i ofroi Iranit lehtësim nga sanksionet ndërkombëtare në këmbim të garancive se Teherani nuk do të merrte armë bërthamore, një qëllim që Republika Islamike e ka mohuar gjithmonë që e ndjek.

Megjithatë, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga JCPOA në vitin 2018 nën presidencën e Donald Trump dhe rivendosjes së sanksioneve amerikane që po mbytin ekonominë e tij, Teherani është shkëputur gradualisht nga detyrimet e tij.

Prandaj, Irani filloi në janar 2021 procesin e prodhimit të uraniumit të pasuruar 20% në uzinën Fordow.

Më pas, në prill 2021, ajo njoftoi se kishte filluar të prodhonte uranium të pasuruar 60% në uzinën e Natanzit, duke iu afruar 90% të kërkuar për të prodhuar një bombë atomike.

Negociatat për të ringjallur marrëveshjen e 2015-ës filluan në prill 2021, por kanë ngecur muajt e fundit pasi tensionet u rritën midis Iranit dhe fuqive të mëdha që janë palë në marrëveshje./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›