Irani mban funeral shtetëror për viktimat e sulmeve izraelite

Teherani do të zhvillojë të shtunën (28 qershor), një funeral shtetëror për të paktën 60 viktima të vrara nga sulmet ajrore izraelite, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë dhe civilë, ndër ta katër gra dhe katër fëmijë.
Ceremonia do të nisë nga Sheshi Enqelab dhe do të përfundojë në Sheshin Azadi, me pjesëmarrjen e qytetarëve të thirrur nga autoritetet për të treguar “besnikëri ndaj rrugës së nderit dhe rezistencës”. Ceremoni të ngjashme do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të Iranit.
Ndërkohë, një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të mbetet në fuqi, megjithëse përpjekjet për të rifilluar negociatat bërthamore me Teheranin kanë pasur pak përparim. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të shqyrtonte “absolutisht” një goditje të mundshme mbi centralet bërthamore iraniane nëse informacioni i ardhshëm i inteligjencës do të jetë shqetësues citon CNN.
Në Izrael, familjarët e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor pritet të protestojnë në Tel Aviv për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe kthimin e të afërmve të tyre, duke e cilësuar situatën si një “dritare historike mundësie” për paqe.
/rtsh.al/