E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berlin, PS në Kongresin Zgjedhor të SPD, mbështetje për reformat dhe integrimin

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, dhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko, përfaqësuan Partinë Socialiste të Shqipërisë në Kongresin Zgjedhor të Partisë Social-Demokrate Gjermane (SPD), një nga forcat më të mëdha të së majtës në Evropë.

Gjatë këtij aktiviteti politik, përfaqësuesit shqiptarë zhvilluan takime me drejtues të lartë të së majtës evropiane, përfshirë edhe kryetarin e sapo zgjedhur të SPD, Lars Klingbeil. Në fokus të bisedimeve ishte mbështetja për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe forcimi i marrëdhënieve mes partive progresiste të kontinentit.

“Jemi shumë të nderuar që me ftesën e demokratëve gjerman, morëm pjesë si përfaqësues të PS në këtë kongres zgjedhor të Partisë Social-Demokrate gjermane, një nga partitë e forta të së majtës evropiane e cila zgjodhi sot kryetarin e saj dhe përcaktoi raportin e saj me qeverisjen në Gjermani.

Në takimin me kryetarin e sapo zgjedhur të SPD, Lars Klingbeil dhe përfaqësues të lartë të së majtës evropiane u konfirmua mbështetja e plotë të Social – Demokratëve në rrugëtimin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.

Patëm kënaqësinë të zhvillonim takime me përfaqësues të lartë të socialistëve evropianë, të cilët po ashtu janë mbështetës të rrugës sonë evropiane.

Partia Socialiste e Shqipërisë vijon të përfaqësohet me të gjithë kapacitetin dhe të  japë shembullin e saj me reformat në qeverisjen e vendit dhe procesin e integrimit në familjen e madhe evropiane”, u shpreh Klosi pas takimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›