Ironia, presidentja e ACR uron minatorët për festën e Bajramit
Presidentja e kompanisë, ACR, Skatche-Depich nëpërmjet një letre të hapur, i ka uruar sot Festën e Bajramit të gjithë punonjësve të kësaj kompanie. Ajo shkruan se kompania ACR do të jetë pranë familjeve të tyre gjatë festimeve për Bajramin. Uroj minatorët dhe familjet e tyre për festën e Bajramit, duke shpresuar se situata e vështirë do të kalohet shumë shpejt nëpërmjet bisedimeve të përbashkëta. ACR do të mbulojë shpenzimet e drekës së Bajramit duke iu gjendur pranë punonjësve tanë, shkruan në letrën e saj Depich.
Ajo shpreh keqardhje për situatën e krijuar nga disa persona jashtë kompanisë, ku thekson se për shkak të këtyre personave kushtet e minatorëve dhe familjeve të tyre janë përkeqësuar. Këta persona të papërgjegjshëm nuk janë kujdesur për interesin e minatorëve të ACR por thjesht për interesat e tyre personale dhe si pasojë Bajrami i sivjetshëm i ka gjetur familjet e minatorëve të Bulqizës në vështirësi ekonomike, theksohet ndër të tjera në letrën e saj.
Presidentja e ACR, i bën thirrje edhe njëherë punonjësve të ACR, t`i kthehen punës për të mirën e përbashkët por edhe të ardhmen e qytetit të Bulqizës. Gjatë kësaj kohe kompania ACR ka miratuar kërkesën e minatorëve për rritjen e pagës 20%. Kushtet e punës do të përmirësohen përmes një procesi, ku vetë minatorët e Bulqizës jo vetëm do të informohen por edhe do të përfshihen me idetë e tyre, përfundon letra e Skatche-Depich.