E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-anëtarja e KQZ: Komisioni po shkel Kodin, numërimi elektronik i pamundur në Fier

TIRANE – Ish-anëtarja e KQZ-së, e propozuar nga Partia Socialiste, Albana Shtylla flet për zhvillimet më të fundit në institucionin zgjedhor në një prononcim për “News24”. Për zonjën Shtylla, mbledhja e fundit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe futja për shqyrtim e aktit normativ është një shkelje e rëndë e kodit zgjedhor, pasi kodi parashikon që duhet një kuorum prej të paktën 5 votash.

“Në vetvete, ashtu siç e parashikon kodi janë akte normative që duhet të miratohen me një shumicë prej 5 anëtarësh. Për mua jemi përpara një shkelje të kodit. Nuk mund të ketë një shqyrtim me një mungesë kuorumi, sepse dhe dispozitat e kodit, kur flasim pikërisht për rregullat në bazë të të cilave mblidhet KQZ-ja, parashikojnë në mënyrë të detyrueshme që për aktet të cilat kërkojnë 5 anëtarë duhet të ketë një kuorum me minimalisht 5 anëtarë.”- deklaron Shtylla.

Në lidhje me aplikimin e teknologjive dhe veçanërisht numërimit elektronik në qarkun e Fierit, zonja Shtylla deklaron se duke parë edhe afatet e tejkaluara, tashmë është i pamundur aplikimi i kësaj teknologjie.

“Për mua është e pamundur në qarkun e Fierit që të mund të realizohet, për shkak të këtyre boshllëqeve, si teknike ashtu dhe procedurale, tejkalim të afateve. Por nga ana tjetër dhe rregullshkruese. Akti normativ i cili do të parashikojë rregullat për zbatimin e teknologjisë për qarkun e Fierit, pra numërimit elektronik, nuk është miratuar nga KQZ-ja. Mendoni që do të duhet që të trajnohen nivelet e administrimit, pra duke filluar me grupet e numërimit, komisioni zonal i administrimit zgjedhor, çfarë dokumentesh do të përpunojnë ata porsa i përket nxjerrjes së rezultatit. Pra të gjithë këto elementë që do t’i përshkruajë akti nuk janë tashmë të vendosur, pra them që është e pamundur porsa i përket qarkut të Fierit në vlerësimin tim.”- shprehet Shtylla.

Zonja Shtylla deklaron se mund të pranojë një ofertë nga Partia Socialiste për të qenë përsëri pjesë e KQZ-së, por më parë sipas saj, duhet të garantohet ligjshmëria në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Ish-anëtarja e KQZ: Komisioni po shkel Kodin, numërimi elektronik i pamundur në Fier

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›