E Diel, 1 Nëntor 2026

Tupja, batutë erotike Arnidës: Stërvitjet në zyrën e Ngjelës të kanë bërë si ngjalë

TIRANE - Arnida Capi, e njohur si asistentja prej dy vitesh e avokat Spartak Ngjelës, është komentuar si një nga surprizat e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Në rrjetet sociale ky lajm është komentuar me fjalët se “Partia Ligj dhe Drejtësi e Ngjelës ka vendosur të konkurrojë me hire në këto zgjedhje parlamentare”, pasi vajza 26-vjeçare e njohur si miss-i që qëndron pas avokatit të njohur, është në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë, e dyta pas tij.

Nisur nga komentet e shumta, shpërndarjen e fotove me mbishkrime të tipit “Bomba e Ngjelës”, e të tjera komente mbi ndërhyrjet me silikon dhe të shkuarën e saj si një vajzë në tentativa për t’u përfaqësuar në ndonjë konkurs bukurie, ndoshta publiku do të donte të kuptonte më shumë për këtë stereotip të femrës thjesht kukull në politikë. Ndaj, Alban Dudushi e kishte ftuar Arnidën në emisionin e tij “Top Show”, për t’i bërë një intervistë për të kuptuar më shumë rreth saj, ku ajo të mund të dëshmonte të kundërtën, gjë që Arnida nuk mundi ta bënte dot, për të ndryshuar në publik këtë opinion të krijuar thjesht nga pamja e jashtme. Arnida, e cila u ndje në çdo moment e paragjykuar dhe e kompleksuar, nëpërmjet përgjigjeve të saj nuk mundi dot ta rrëzonte këtë paragjykim, përveçse të binte në grackën e një vajze që nuk kishte oratorinë dhe elokuencën e një politikaneje të ardhshme, ndërkohë që përpiqej të vetëmbrohej duke bërë edhe lojëra fjalësh me të ftuarit e tjerë në studion e Dudushit.

Ndaj, padashur ajo ra pre e batutave erotike të Edmond Tupes. Pas batudës paraparke të Dudushit se dy vite punë në studion ligjore të Ngjelës mund të jetë stërvitur mjaftueshëm si politikane, Tupja ia ktheu se nga stërvistja me Ngjelën, kjo vajzë është bërë kështu si ngjalë”, batutë që Arnida nuk mundi ta vazhdonte më tej. Pyetjes së Albanit se si e mendon politikën, ajo iu përgjigj: “E mendoj politikën në radhë të parë si një përgjegjësi të madhe, në nivel përfaqësimi. Ky është një fillim për mua. Unë nuk mund të marr dot përgjegjësi se do ndryshoj politikën shqiptare, po as nuk mund të jem indiferente në zhvillimin e vendit tim. Në politikën shqiptare së pari duhet të sillet një frymë e re, një liberalizim me të cilin nënkuptoj ndryshimin e luftës së njerëzve në politikën që dëgjojmë dhe sjelljen e një lufte idesh”, tha ajo. Më tej, duke folur për pritshmëritë në votime, Arnida pohoi se sipas sondazheve të partisë që ajo përfaqëson, kanë të fituara rreth 15 mijë vota, që sipas përllogaritjeve i shpallin fitues dy të parët e listës, Ngjelën dhe Arnidën. Herë pas here, të pranishmit shfaqeshin moskuptues ndaj frazave të saj, që sipas tyre nuk bënin sens.

Ndërkohë që Arnida u komentua edhe për fotot e saj me rroba plazhi që qarkullojnë në internet, ndërhyrjet me silikon, të cilave ajo dëshironte t’u shmangej me moton e saj: “Unë dua që njerëzit të më shohin për formimin tim, jo për format e mia”. Duket se nata e së enjtes nuk i la shije të mirë as vetë Arnidës, e cila të nesërmen ka shkruar një status në facebook, ndërsa thotë se: “Prezenca e një femre në politikë, dhe aq më tepër rreth paraqitjes së saj jo vetëm që u vu në një kontekst paragjykues, por edhe përballë një sulmi estetik të një niveli intelekti krejt negativist dhe krejt sipërfaqësor! “Nëse nuk arrini t’i kuptoni idetë nga konceptet dhe nëse pozitivizmi i arsyes suaj nuk është i aftë të shkojë përtej sipërfaqes estetike, më vjen keq, por në Gjuhë-Letërsi kjo ka një fjalë: injorancë!” Ndërsa për shoqërinë, mesazhi është: “Protestë ndaj urrejtjes së njeriut! Protestë ndaj paragjykimit të femrës në bazë estetike!”

(er.nu/panoramaplus/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›