E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Riarrestohet në Dubai Durim Bami, i kërkuar nga autoritetet shqiptare

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit bëri të ditur sot se është riarrestuar në Dubai shtetasi Durim Bami.

“Në vijim të bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara, dhe në zbatim të urdhrit të lëshuar nga Interpol Tirana, është riarrestuar në Dubai, shtetasi D. B., 45 vjeç”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15 maj të këtij viti, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal”, “kultivimi i bimëve narkotike” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Pritet vendimi i prokurorit të çështjes, për kryerjen e procedurave të mëtejshme. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›