E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-deputeti Maliqi: Drejtësia triumfoi, fitova 6 gjyqe ndaj Salillarit dhe Hajdarit

Ish-deputeti dhe ish-kandidati për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, ka reaguar pas vendimeve gjyqësore që, sipas tij, i kanë dhënë të drejtë në disa procese të zhvilluara gjatë tre viteve të fundit.

Përmes një deklarate publike, Maliqi shpreh vlerësim për Gjykatën dhe Prokurorinë e Beratit, duke i falënderuar për atë që ai e cilëson si një proces të drejtë, të paanshëm dhe profesional.

“Sot, pas 3 vitesh, fitoj të 5 paditë kundër meje nga Salillari dhe Hajdari në krye të Bashkisë së grabitur të Kuçovës dhe 1 padi në Gjykatën e Tiranës”, shprehet Maliqi.

Sipas tij, beteja morale, mediatike dhe politike është fituar, ndërsa proceset ligjore vijojnë në institucione të tjera si SPAK, Gjykata e Posaçme, KQZ dhe KAS. Ai pretendon se ka fituar gjithashtu procese në Gjykatën Administrative të Tiranës, Gjykatën e Lartë dhe KAS.

Maliqi deklaron se nuk do të tërhiqet nga kërkesat për verifikimin e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, duke ngritur akuza për abuzime me fondet publike dhe menaxhimin e taksave të qytetarëve.

Ai përmend gjithashtu disa projekte dhe investime, për të cilat kërkon hetim nga organet e drejtësisë, duke pretenduar se bëhet fjalë për miliona euro fonde publike.

Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga përfaqësuesit e Bashkisë së Kuçovës apo personat e përmendur në deklaratën e Maliqit lidhur me këto pretendime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›