E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ish-deputeti i PS-së Armando Prenga në SPAK: Dëshmi për 21 janarin

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë dëshminë e tij. Prenga ka dalë nga ambientet e SPAK pas më shumë se 40 minutave. I pyetur nga gazetarët, ai u përgjigj se është pyetur në lidhje me çështjen e 21 janarit.

“Jam thirrur për 21 janarin, si person që kam dijeni”, tha ish-deputeti i PS-së.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj. Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

Gjykata e Lartë vendosi të pranojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, duke detyruar SPAK të regjistrojë procedim penal për dosjen e “21 janarit”.

Çështja në Gjykatën e Lartë u dërgua nga familja e Aleks Nikës, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut të datës 14 nëntor 2023, që kërkon identifikimin e autorëve të vrasjes së Nikës, që ka mbetur pa autorë. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›