Ish kancelari Schroeder: Qeveria e re të ruajë marrëdhënie bashkëpunuese me Kinën dhe Rusinë

Paraardhësi i kancelares gjermane Angela Merkelit, Gerhard Schroeder, paralajmëroi qeverinë e ardhshme kundër një “politike të jashtme moralizuese” ndaj Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera.
Duke folur në portalin e lajmeve T-Online, ndërsa tre partitë që përbëjnë koalicionin e ri ishin gati të nënshkruanin marrëveshjen e tyre të koalicionit, Schroeder theksoi se ‘’kur shikoj politikën për Kinën, qeveria e re do të bënte mirë të bënte atë që bënë të gjithë paraardhësit e saj duke kultivuar një marrëdhënie të mirë me këtë vend jashtëzakonisht të rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike dhe politike”.
‘’E njëjta gjë vlen edhe për Rusinë, Turqinë dhe Arabinë Saudite’’, theksoi Schroeder, ish-lider i Partisë Social Demokrate Gjermane (SPD).
Duke iu referuar planeve të ministres së Jashtme të ardhshme, Annalena Baerbock e të Gjelbërve, për të ndjekur një politikë të jashtme më aktive, Schroeder tha se duhej “pak më shumë ndjeshmëri” sesa ajo që të Gjelbrit po tregojnë aktualisht.
Schroeder ishte kreu i një qeverie në të cilën të Gjelbërit kishin edhe një ministër të Jashtëm, Joschka Fischer, ndoqi politika shumë pragmatike për çështjet e ditës, duke punuar shumë për të bindur anëtarët e partisë idealiste për nevojën për t’u angazhuar ushtarakisht në ish-Jugosllavi.
Që nga tërheqja nga politika e vijës së parë pas humbjes së partive konservatore të Merkelit në zgjedhjet e vitit 2005, Schroeder ka marrë postin e kryetarit të kompanive kontroverse ruse të energjisë Nord Stream dhe Rosneft./ATSH