E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish komandanti i ushtrisë turke dënohet me burgim të përjetshëm

Një gjykatë turke ka filluar që të bëjë publike vendimet në proceset gjyqësore të 275 personave që akuzohen për rrëzimin e qeverisë.

Në mesin e të akuzuarve përfshihen edhe ish komandant ushtrie si Ilker Basbug, oficerë ushtarak, avokat, akademikë dhe gazetarë.

Basbugu është dënuar me burgim të përjetshëm.

Ish komandanti që e ka udhëhequr ushtrinë turke prej vitit 2008 deri më 2010, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër tij.

Disa prej të burgosurve tjerë janë dënuar me 20 vjet burg, ndërsa 21 prej të akuzuarve janë liruar nga akuzat.

Verdiktet u janë shqiptuar të gjithëve individualisht.

Akuzat përfshijnë edhe dyshimin se të paditurit kanë qenë anëtarë të një “organizate terroriste” e njohur me emrin, Ergenekon, si dhe ndezje zjarri, posedim ilegal të armëve dhe nxitjen e kryengritjes së armatosur kundër kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan dhe subjektit politik që ai e drejton, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Njësitë speciale janë nxjerrë në rrugë si dhe janë vendosur barriera prej metali përreth gjykatës në Stamboll ku janë shqiptuar verdiktet e sotme./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›