E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna e Prishtinës mohon gjetjet e FOL

(E plotësuar) Komuna e Prishtinës e ka analizuar raportin e publikuar sot nga OJQ FOL, thuhet në reagim e saj, shpërndarë medieve.Në tri raste të cekura nga kjo OJQ, komuna ka bërë zgjedhjen e operatorit me çmimin më të lirë, me qëllim të ruajtjes së parasë publike. Zgjedhjet që ka bërë komuna në të tri këto raste kanë qenë në përputhshmëri të plotë me ligjin e prokurimit publik dhe kushtet e parapara në dosjen e tenderit. Mirëpo, OSHP i ka dërguar dy nga këto raste në rivlerësim dhe një rast në ritenderim. Edhe pas ritenderimit dhe rivlerësimit, prapë Komuna e Prishtinës ka bërë zgjedhjen e operatorit ekonomik me çmimin më të lirë.

Në një rast tjetër, OSHP ka aprovuar plotësisht kriteret në dosjen e tenderit të përcaktuar nga Komuna e Prishtinës në të cilat kritere operatori ekonomik ka shfaqur ankesë.

Prandaj, në asnjërin rast nuk është bërë shkelje nga ana e Komunës së Prishtinës. Përkundrazi, janë bërë zgjedhjet e operatorëve ekonomik me çmimin më të ulët për të ruajtur paranë publike.

Komuna e Prishtinës vlerëson se ky raport është joprofesional dhe i njëanshëm. Kjo OJQ është dashur të kontaktoj me Komunën e Prishtinës për të marrë informacionet e plota për të katër këto raste. Fakti që kjo OJQ nuk ka kontaktuar komunën nënkupton se ka pasur qëllime të tjera. Dëshirojmë të besojmë se këto konstatime të nxjerra nga OJQ Fol janë vetëm si rezultat i mungesës së hulumtuesve të zyrtarëve të saj.

Me këtë rast, sqarojmë opinion e gjerë se në raportin e fundit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për Komunën e Prishtinës është konstatuar se Komuna e Prishtinës e ka respektuar plotësisht ligjin e prokurimit në 297 aktivitete të prokurimit që ka bërë gjatë vitit 2012. Auditori i Përgjithshëm është i thirrur për të dhënë vlerësime profesionale për mënyrën e shpenzimit të parasë publike dhe përputhshmërinë me ligjet në fuqi.

------

Lëvizja FOL ka publikuar raportin e saj të rregullt “Monitoruesi i prokurimit” për periudhën prill-qershor 2013. Në këtë raport pasqyrohen shkeljet dhe parregullsitë ligjore të evidentuara nga ana e OSHP-së, të ministrive, ndërmarrjeve publike (KEK dhe PTK) dhe komunave gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL pasi prezantoi qëllimin dhe metodologjinë e hartimit të raportit tha se trendi i shkeljeve dhe parregullsive ligjore gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik nga ana e ministrive, ndërmarrjeve publike (KEK dhe PTK) dhe komunave të Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në këtë periudhë kohore të këtij viti.

”Në periudhën prill-qershor, institucionet e monitoruara kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 29 tenderë të ndryshëm. Nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit prej këtyre 29 tenderëve 14 janë kthyer në ri-vlerësim, 7 janë kthyer në ritenderim, 3 janë anuluar, kurse në 5 të tjerë është ndërhyrë në dosjen e tenderit”, vleresoi ai.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, ministritë nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik në 8 tenderë të ndryshëm, ku Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore në 4 aktivitete të ndryshme të prokurimit, kurse Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë si dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë në nga 1 tenderë.

Ndërmarrjet publike (KEK dhe PTK) kanë bërë shkelje ligjore në 9 aktivitete të ndryshme të prokurimit. KEK ka bërë shkelje ligjore gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në 5 aktivitete të prokurimit, kurse PTK ka bërë shkelje në 4 të tilla.

Ndërsa Komunat e Republikës së Kosovës nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik në gjithsej 12 tenderë të ndryshëm. Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje në 4 tenderë, kurse Komuna e Gjilanit, Lipjanit, Parteshit, Prizrenit, Vitisë, Gjakovës, Mitrovicës dhe ajo e Pejës në nga 1 tenderë.

Përveç kësaj në këtë raport Lëvizja FOL raporton se ka realizuar monitorime direkte të 37 procedurave të prokurimit në ministri me të cilat ka Memorandum të Mirëkuptimit. Si rezultat në 23 nga këta tenderë janë shpallë operatorët ekonomik fitues, 11 janë Anuluar ndër ta disa me rekomandim të Lëvizjes FOL me qëllim të parandalimit të shkeljeve ligjore, kurse në 2 tenderë është shpallur fituesi vetëm për Lot I, ndërsa një tenderë është ende në procedurë e sipër./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›