Ish-kryeministri britanik, Blair: S’jam penduar asnjëherë që e ndihmuam Kosovën

PRISHTINË, 10 qershor/ATSH/ Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka thënë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj para 25 vjetësh. Ai tha se triumfi i intervenimit të NATO-s nuk do të kishte ardhur pa vendosmërinë dhe trimërinë e popullit të Kosovës. Sipas tij, lufta e popullit kosovarë simbolizonte vullnetin për një të ardhme më të mirë si shtet i pavarur dhe sovran.
Tony Blair në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kujtoi disa momente të 25 viteve më parë të arritjes së marrëveshjes për tërheqjen e forcave pushtuese serbe nga territori i Kosovës. Blair nënvizoi nevojën që e ardhmja e Kosovës të jenë në Bashkim Evropian.Derisa kërkoi që vendet që se njohin Kosovën të binden për ta bërë një gjë të tillë sa më shpejtë.
Paraprakisht, rolin e ish kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair për çlirimin e Kosovës e vlerësoi kryeparlamentari, Glauk Konjufca.Sot, në Prishtinë u mbajt edhe një konferencë shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare”.
Aktivitet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga data 8 qershor e që do të zgjasin deri më 21 qershor. Në kuadër të saj, më 12 qershor do të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës. /KosovaPress/