E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ish-ministra në burg dhe nën hetim, Rama: Prandaj është bërë reforma në drejtësi, nuk ka të paprekshëm

“Brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara, deri dhe kriminale”. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama teksa është pyetur lidhur me ish-ministrat nën hetim dhe të arrestuar për korrupsion.

Kryeministri deklaron se reforma në drejtësi është bërë pikërisht për këtë arsye, që të mos ketë të paprekshëm dhe që njerëz të lidhur me pushtetin aktual të shkojnë në burg.

“Çfarë do të thotë kjo, një ministër në burg, dy ministra në burg, tre ministra në burg, një zëvendës kryeministër nën hetim, që nuk është akoma zyrtarisht, çfarë do të thotë kjo? Është pozitive kjo në luftën kundër korrupsionit apo është negative?

Çfarë keni pritur ju nga Reforma në Drejtësi, se unë që e kam ideuar dhe e kam udhëhequr bashkë me Partinë Socialiste që qeveris prej 9 vjetësh e kusur, unë këtë kam kërkuar. Ju çfarë keni pritur nga Reforma në Drejtësi? Keni pritur nga Reforma në Drejtësi të konfirmojë që të gjithë janë engjëj apo keni pritur nga Reforma në Drejtësi që të provojë që të gjithë janë djaj?

Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi; që të mos ketë të paprekshëm, që drejtësia të funksionojë e barabartë për të gjithë dhe që të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur qysh se ka pasur shtet shqiptar; që njerëz të lidhur me pushtetin aktual të shkojnë dhe në burg”, tha Rama.

Kryeministri shton se nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, që të luftohej korrupsioni nga drejtësia pa i hyrë kurrë në mes pushteti politik dhe ekzekutiv drejtësisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›