Berisha-Dumanit: E ke kthyer SKAP-i në mburojë të vjedhjes së qeverisë

Ish-kryeministri Berisha tha se kreu i SPAK, Altin Dumani se është kthyer në një mburojë të vjedhjes që bën qeveria me inceneratorin e Tiranës.
Sipas Berishes, ky incenerator gllabëron çdo ditë qindra mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz që ka në krye Ramën e Veliajn, ndërsa akuzon kreun e SPAK se ka kthyer institucionin si seksion të PS.
“SKAP-i është një institucion kryekëput seksion i PS. Një mburojë e padepërtueshme e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë. Të organizatës kriminale që organizohet nga Edi Rama. Inceneratori i Tiranës, është një kontratë e cila iu kushton shqiptarëve 420 milionë euro, mbi bazën e firmave që janë vendosur në këtë kontratë. Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP-it, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ky incenerator gllabëron çdo ditë si lubi qindra e mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz, i cili ka në krye Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Erion Veliajn, dhe disa emra të tjerë.
Dy fjalë do t’i them z.komisar Dumanit se pretendimi juaj që nuk dihen pronarët, iu akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj”, tha Berisha
Berisha tha se kontrata është e firmosur në shkeljen më flagrante të kodit civil të Shqipërisë.
“Kontrata e Inceneratorit të Tiranës është e firmosur në shkeljen më flagrante të kodit civil të Shqipërisë. Nuk ka gjykatë që nuk rrëzon atë kontratë, për sa kohë në Shqipëri dhe kudo në botë, kodi civili është kushtetuta e kontratave. Ju nuk e bëni këtë, sepse ju jeni mburojë e qeveritarëve që kryejnë këtë vepër mafioze, këtë vjedhje të tmerrshme. Kush është personi i cili shkelmoi strategjinë e hartuar me financimin e KE për trajtimin e mbetjeve për të cilin u shpenzuan 4 milionë euro, dhe e hodhën në kosh atë? Askush nuk mund ta bënte një gjë të tillë, përveç kryeministrit të Shqipërisë, i cili për krijimin e sipërmarrjes së djegësave, shkelmoi dhe hodhi në kosh strategjinë e trajtimit të mbetjeve, e trajtuar nga KE.
Cili autoritet mund të hidhte në kosh shkresat zyrtare të agjencisë publike të prokurimeve të firmosura nga drejtori, Edmond Ahmetaj, se kontrata me negociata të mbyllura është antiligjore, dhe se nuk ekziston në legjislacionin e Shqipërisë. Një akt të tillë kriminal ka kryer Edi Rama dhe Engjëll Agaçi. Askush tjetër nuk mund të bënte një shkelje të tillë, por edhe kjo mbrohet dhe injorohet nga SKAP-i i partisë.
Cili është personi që kaloi 17 procedura në 24 orë, në mënyrë të rrufeshme për Inceneratorin e Elbasanit. Arben Ahmetaj thotë që: ‘Unë nuk mund ta lëvizja qeverinë.’ E vërteta është që qeverinë mund ta lëvizë vetëm një njeri, dhe ky quhet Edi Rama. Ndaj edhe Dumani nuk i gjen dot pronarët fundorë të Inceneratorit të Tiranës”, tha Berisha.
/rtsh.al/