E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-presidenti francez rikthehet në skenën politike: Të bashkohemi për të mundur Le Pen

Ish-presidenti francez François Hollande po e mban të hapur mundësinë për t’u rikthyer në garën për Pallatin Élysée në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Në një intervistë, Hollande tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por theksoi se, nëse kandidon, do ta bëjë vetëm me synimin për të arritur në raundin e dytë dhe për të fituar.

Hollande, i cili drejtoi Francën nga viti 2012 deri në 2017, ka kritikuar zgjedhjet paraprake të së majtës, duke argumentuar se ato “përçajnë më shumë sesa bashkojnë”. Ai ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në primaret socialiste dhe se vendimin për një kandidim të mundshëm pritet ta marrë në dhjetor.

Në qendër të mesazhit të tij është ideja e bashkimit të së majtës dhe më gjerë e kampit republikan. Hollande argumenton se situata politike dhe financiare e Francës, si dhe rreziku i forcimit të së djathtës ekstreme, mund të justifikojnë rikthimin e një ish-presidenti në garë.

Ai distancohet gjithashtu nga ideja e një aleance klasike mes së majtës, qendrës dhe së djathtës, duke folur për një mënyrë të re të qeverisjes “përtej partive”.

Në javët e fundit, Hollande ka shtuar aktivitetin e tij politik dhe ka mbledhur rreth vetes mbështetës e figura politike. Në fund të gushtit, ai zhvilloi takime me militantë socialistë në Blois, ndërsa ekipi i tij po përgatit një seri aktivitetesh politike deri në fund të vitit.

Rikthimin politik Hollande po e shoqëron edhe me librin e tij të ri “Unir: nouveau monde, nouvelle gauche” (“Bashko: botë e re, e majtë e re”), ku paraqet 80 propozime për të ardhmen politike të Francës.

Për momentin, Hollande nuk e ka shpallur kandidaturën. Por sinjalet e fundit tregojnë se ish-presidenti po përgatitet për një vendim që mund të ndryshojë garën e së majtës franceze për Élysée-n.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›