E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shefi i stafit të Zelensky-t akuzohet në hetimin për korrupsion në Ukrainë

Ish-shefi i stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Andriy Yermak, është përfshirë në një hetim të madh për korrupsion, duke u cilësuar si i dyshuar për pastrim parash në vlerë prej rreth 10.5 milionë dollarësh përmes një kompleksi banesash luksoze pranë Kievit.

Agjencitë anti-korrupsion të Ukrainës, duke respektuar ligjin që ndalon publikimin e emrit, njoftuan se “ish-kreu i Zyrës së Presidentit” është pjesë e një grupi kriminal që ka përdorur projektin e ndërtimit për të fshehur fondet e paligjshme.

Megjithatë, mediat vendase e identifikuan menjëherë Yermakun si personin e përmendur.

Ai, në një prononcim për Radio Liberty, mohoi të kishte ndonjë pronësi mbi pasuritë e paluajtshme të përmendura, duke refuzuar të japë komente të tjera.

Ky zhvillim vjen pas një vale hetimesh të gjera që kanë tronditur elitën politike të Kievit dhe kanë nxitur zemërim publik ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.

Skandali i parë u shpërtheu në nëntor të vitit të kaluar, kur një ish-partner biznesi i Zelenskyt u akuzua për drejtimin e një skeme ryshfeti prej 100 milionë dollarësh në agjencinë shtetërore atomike Energoatom.

Në të njëjtin hetim u përfshi edhe një ish-zëvendëskryeministër dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit. Rasti i Yermak shihet si pjesë e këtij zinxhiri akuzash që kanë ekspozuar korrupsionin e përhapur në administratë.

Yermak, i cili deri në dorëheqjen e tij vitin e kaluar konsiderohej si njeriu i dytë më i fuqishëm në Ukrainë pas Zelenskyt, kishte një rol vendimtar në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.

Ai shfaqej shpesh në krah të presidentit në ngjarje publike dhe ishte negociatori kryesor i Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë, të mbështetura nga SHBA-të.

Dorëheqja e tij u interpretua si pjesë e një riorganizimi më të gjerë të qeverisë, i cili synonte të rivendoste besimin e publikut në zyrën e presidentit, e cila ishte kritikuar për centralizimin e pushtetit.

Hetimi aktual pritet të shtojë presionin mbi administratën e Zelenskyt në një moment të ndjeshëm të luftës me Rusinë, kur çdo akuzë për korrupsion mund të minojë besimin e aleatëve perëndimorë dhe të dobësojë imazhin e Ukrainës si një vend që po lufton jo vetëm për mbijetesë, por edhe për reforma demokratike.

Këshilltari i komunikimit i presidentit, Dmytro Lytvyn, deklaroi se është ende herët për të komentuar mbi dyshimet ndaj Yermak, pasi veprimet procedurale janë në vazhdim.

Ndërkohë, opinioni publik dhe mediat vendase e shohin këtë rast si një provë të rëndësishme për seriozitetin e Ukrainës në luftën kundër korrupsionit, një çështje që ka qenë gjithmonë pengesë për integrimin e plotë të vendit në strukturat euroatlantike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›