Ish-shoferi i Adem Tahirajt refuzon që të dëshmojë për vrasjen
Edhe pse ka qenë dëshmitari kryesor në vrasjen e ish-kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, shoferi i tij, Fatmir Hoxha, ka refuzuar që të flasë para Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ai ka qëndruar vetëm pak minuta para trupës gjykuese dhe nuk ka folur, duke e argumentuar këtë gjë me faktin se është edhe vetë i pandehur.
Me këtë veprim, Hoxha, që pa se çfarë ndodhi mes kryekomisarit Tahiraj dhe të akuzuarit për vrasjen e tij, Ilir Xhakja, duket se ka pasur si qëllim pikërisht përballjen në një ballafaqim me këtë të fundit.
Për këtë arsye, në seancë është dëgjuar vetëm dëshmia që Hoxha ka dhënë gjatë marrjes në pyetje në prokurori.
Në thëniet e tij, prokurori citoi se ndalimi i mjetit të nipit të Xhakjes ishte bërë në mënyrë rastësore dhe pikërisht atëherë kur ishte vendosur që mjeti të shoqërohej në komisariat, aty kishte mbërritur një tjetër person me makinë luksoze dhe i veshur sportiv, i cili kishte pyetur se kush ishin ata. I nipi, Ledio Ksanaj i ishte përgjigjur të mos bëhej merak pasi ishte thjesht punë dokumentesh.
Në këtë pikë Hoxha shpjegon se pyetjes së kryekomisarit, po ti kush je?, Xhakja sipas shoferit, i ishte përgjigjur me ofezë e pikërisht në këtë çast ka ndodhur edhe vrasja e kryekomisarit./b.l