E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të dënuarit, skema për 1 miliardë lekë

Autori i Lajmit: red.
Fondi prej një miliardë lekësh destinuar si dëmshpërblim për ish-të përndjekurit politikë do të nisë shpërndarjen nga Ministria e Financave brenda 15 janarit. Lajmi konfirmohet nga zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu.
Zëvëndës ministri Shrefedin Shehu thotë se 1100 të përndjekurit e parë do të kompensohen brenda 15 janarit.
Deklarata
"Shuma e përfshirë dhe e llogaritur në Vendimin e Qeverisë për datën 29 dhjetor është 1 miliardë lekë, po kaq është shuma që ne kishim parashikuar në buxhetin e vitit 2008. Kjo shumë është e transferuar në një llogari të posaçme, dhe Ministria e Financave do të hapë tenderin për të zgjedhur një bankë ku do të hapen llogaritë personale të përfituesve", deklaroi Sherefedin Shehu, zv.ministër i Financave. Ngadalësia në kompensim, sipas zëvendës ministrit vjen nga procedurat e hartimit të listave nga Ministria e Drejtësisë. Shuma e parave që përfitohen është një pjesë shumë e vogël e sasive që pretendohen nga ish të përndjekurit.
"Shuma e këtyre përfituesve, pasi ka dhe disa limite, ligji thotë që do të paguhet me tetë këste që do të thote që secili nuk mund të marrë më shumë se 1/8, për të ruajtur kriterin e barazisë dhe të drejtësisë dhe njëkohësisht nuk mund të marrë më pak se 100 mijë lekë dhe më shumë se sa 1 milion. Pra, ka dhe një limit të sipërm", vijoi Shehu. Veç 2 miliardë lekëve të tjera të vëna në buxhet si kompensim për ish-të përndjekurit në 2009 kjo shtresë pritet të përfitojë edhe nga privatizimi. Vlera e përfitimit shkon deri në 2 miliardë lekë të tjera ndërkohë që fatura e përllogaritur është mbi 15 miliardë lekë. Çdo i dënuar i sistemit komunist shpërblehet 2 mijë lekë për ditë burgu.
Vendimi i qeverisë
Në vendimin e miratuar në qeveri, në mbledhjen e fundit të vitit 2008, krahas 1100 emrave të miratuar për dëmshpërblim, në një listë të veçantë përfshihen edhe emrat që presin përgjigjet përfundimtare nga tre institucionet. Kështu Ministria e Financave, EKB dhe ZRPPQ-ja duhet të verifikojnë nëse ish-të përndjekurit politikë kanë marrë ose kanë përfituar dëmshpërblim nga ligjet e miratuara më parë (dëmshpërblime në të holla apo letra me vlerë, apo pasuri të paluajtshme). Nëse provohet se një ish- i përndjekur ka marrë më parë dëmshpërblim, atëherë shuma e përfituar në këtë rast i zbritet shumës totale të dëmshpërblimit që duhet të marrë ai për vitet e burgut të kryer. Nga ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë së pari do të përfitojnë ata persona që janë dënuar me burg, ose familjarët e e viktimave të ekzekutuar. Në relacionin e depozituar në qeveri, nga Ministria e Drejtësisë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për vitin 2008, thuhet se procesi i verifikimit për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me gjemba deri në vitin 1954 ende nuk ka përfunduar. Po kështu dëmshpërblimi i të dënuarve me internim apo dëbim do të jetë objekt i një vendimi tjetër të Këshillit të Ministrave. Në këtë rast është menduar që masa e dëmshpërblimit të jepet në formën e një pensioni. Në skemën e dëmshpërblimit financiar do të përfshihen të gjithë ata persona që janë dënuar me vendime penale të formës së prerë të gjykatav të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30 nëntor 1944 deri më 1 tetor 1991.

Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›