E Martë, 3 Nëntor 2026

Ish ushtaraku: Nëse Krimeja “hiqet nga duart” e Rusisë, vija e kuqe për përdorimin e armëve bërthamore

Paralajmërimet se bota është në prag të një Luftë Të Tretë Botërore po artikulohen gjithnjë e më shumë, ku frika ekziston në përdorimin e armëve bërthamore. Për ish ushtarakun Dritan Goxhaj këto janë vetëm retorika dhe se një Luftë e Tretë Botërore nuk do të ketë, pasi nuk ka rritje të kapitalit ushtarak nga NATO apo SHBA.

Në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Goxhaj tha se vetëm nëse SHBA do të ndërhynte me trupa ushtarakë në Ukrainë, atëherë do të kishte një luftë e tillë.

“Nuk besoje se jemi në prag të Luftës Së Tretë Botërore pavarësisht retorikave. Një luftë e tretë do të thotë nëse përfshihen SHBA me trupat në Ukrainë dhe ata e kanë përjashtua këtë. Konflikti do të mbetet rajonal ose evropian. Retorika është pjesë e demagogjisë politike. Nuk kemi rritje të prodhimit ushtarakë, kapitalit ushtarak dhe NATO nuk i ka rritur kapacitete e veta”, tha Goxhaj.

Lidhur me kërcënimet e Putinit për të përdorur armët bërthamore, për Goxhaj kjo do ndodhte vetëm nëse Krimeja do të “hiqej nga duart” e Rusisë.

“Është një doktrinë ushtarake e Rusisë që nëse Krimeja cenohet nga çdo lloj faktori politik dhe të dalë jashtë duarve të rusëve ajo do ishte vija e fundit e kuqe që ata do të aktivizonin bombat e tyre bërthamore. Por unë mendoj se vetë Putin nuk do e shtypte kurrë atë butonin e  kuq, por nëse personat që rrethojën Putin do ishin në vend të tij, atëherë ne do ishim në Luftën e Tretë Botërore”, tha ai.

Lidhur me tensionet Serbi-Kosovë, ish ushtaraku tha se Beogradi gjithmonë ka tentuar të krijojë destabilizim në Kosovë dhe këtë e bën për retorikë të brendshme.

“Që Serbia mund të krijojë destabilitet, kjo këtë e ka bërë gjithë kohës. Por Kosova nuk rrezikohet nga Serbia pasi është e mbrojtur nga NATO dhe Serbia nuk do të guxonte pasi në këtë rast nuk sulmon Kosovën por është në konflikt direkt me NATO-n. Serbët do krijojnë probleme të nxitura nga Beogradi pasi Vuçiq i duhet për ta shitur si patriotizëm”, tha Goxhaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›