E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ish-veglat e diktaturës kanë të drejtë për t’u zgjedhur”

24/03/2010 Zbardhet nga Kushtetuesja vendimi i marrë që më datën 2 shkurt

Sipas arsyetimit të Gjykatës, ligji shkel të drejtat e njeriut

Pas më shumë se 1 muaj e gjysmë që e ka marrë vendimin, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur më në fund arsyet e rrëzimit të ligjit “Për pastërtinë e figurës”. Në lidhje me këtë çështje Kushtetuesja është shprehur që më datën 2 shkurt, por me gjithë ndjeshmërinë që ka ky ligj, ka vendosur që ta publikojë atë vetëm pas 50 ditëve, megjithëse teksti ka qenë gati që ditën që është marrë vendimi. Në një relacion të gjatë anëtarët e kësaj gjykate e kanë vlerësuar se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit për një sërë arsyesh, pasi kanë marrë për këtë çështje dhe mendimin e Komisionit të Venecies. Sipas Kushtetueses, ligji në fjalë shkel një sërë të drejtash për ish-funksionarët e lartë të regjimit, gjykatës prokurorë apo drejtues të lartë, siç është e drejta për punë, e drejta për t’u zgjedhur etj. “Ligji për pastërtinë e figurës në nenin 23, pika 2, parashikon se subjekti i verifikuar, të cilit i është lëshuar dëshmia e verifikimit B, skualifikohet nga vazhdimi i procedurave të zgjedhjes. Ky ndalim i ligjit cenon të drejtën për t’u zgjedhur, të garantuar nga neni 45 i Kushtetutës dhe neni 3 i Protokollit nr.1 të KEDNJ-së. E drejta për të kandiduar në zgjedhje është e garantuar edhe nga neni 25/b i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”, - thuhet në vendim.

Sipas tekstit të vendimit, ky ligj bie ndesh me garancitë që Kushtetuta dhe ligjet u njohin organeve shtetërore përkatëse “Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës, i cili është një ligj i miratuar sipas procedurës së zakonshme, nuk mund të trajtohet si interpretim dhe zbatim i dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve organike. Ky ligj bie ndesh me garancitë që Kushtetuta dhe ligjet organike u njohin organeve shtetërore përkatëse. Lidhur me pretendimin se rregullimet e ligjit për pastërtinë e figurës për sa i përket ngritjes, funksionimit dhe vendimmarrjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurës, cenojnë kërkesat që rrjedhin nga parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Gjykata çmon se ligji krijon shqetësim serioz për parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të garantuara nga neni 7 i Kushtetutës, në kuptimin që një organ ekzekutiv autorizohet të imponojë pastrimin e figurës mbi anëtarët e ligjvënësit dhe gjyqësorit”, - thuhet në vendim. Duke u nisur nga të gjitha këto, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008, “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.

Gjykata rithekson se interesi publik duhet të respektojë proporcionalitetin e ndërhyrjes. Po ashtu duhet të theksohet se standardet e KE-së nuk rekomandojnë masat e lustracionit për funksionet e zgjidhshme, “me përjashtim të rasteve kur kjo gjë kërkohet nga kandidati”.

Sipas vendimit, ish-drejtuesve të diktaturës s’mund t’u kufizohet e drejta për t’u zgjedhur. “E drejta e votuesve për të zgjedhur këdo që ata dëshirojnë është baza e një demokracie. Çdo përjashtim nga ky parim i njohur duhet të jetë i motivuar në çdo rast individual në bazë të rrethanave të veçanta.”

Gjykata Kushtetuese e sheh këtë në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës. “Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se ligji për pastërtinë e figurës kufizon të drejtën për t’u zgjedhur jo në përputhje me kushtet e kërkuara nga neni 17 i Kushtetutës dhe KEDNJ-ja.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›