Bllokohet KRRT e Durrësit, bojkotojnë anëtarët e djathtë
24/03/2010 Kryebashkiaku Vangjush Dako kërcënon me shkrirje. Anëtarët: Nuk u përfshi porti i peshkimit
DURRES- Ka dështuar ditën e djeshme mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Bashkisë së Durrësit, në të cilën ishin planifikuar të merreshin në shqyrtim një numër i konsiderueshëm lejesh sheshi dhe leje ndërtimi. Në mbledhjen e caktuar për të nisur në orën 10.00 të ditës së djeshme kanë qenë të pranishëm vetëm 6 anëtarë të KRRT-së, të cilët janë që të gjithë punonjës të bashkisë, ndërkohë që nuk morën pjesë 8 anëtarët e djathtë të KRRT-së që janë propozuar në këtë strukturë nga prefektura dhe Këshilli Bashkiak. Fillimi i mbledhjes së KRRT-së kërkonte minimalisht 10 vetë që të ishin të pranishëm dhe për këtë arsye ajo nuk është zhvilluar fare. Këshilltarët e djathtë nuk janë paraqitur në mbledhje pasi në rendin e ditës nuk ishte përfshirë pika për rifreskimin e lejes së sheshit të ndërtimit për portin e ri të peshkimit.
Kërcënimi
Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka deklaruar para mediave të pranishme se: “mbledhja nuk mund të mbahet sepse nuk kanë marrë pjesë shumica e anëtarëve, të cilët janë të djathtë. Anëtarët që nuk kanë marrë pjesë sot po tentojnë të bllokojnë punën e bashkisë, zhvillimin e qytetit dhe sipërmarrjen e ndërtimit. Bashkë me investimet private në mbledhje janë parashikuar edhe një sërë investimesh publike, si rikonstruksione sheshesh dhe rrugësh. Ky është një vendim i pastër politik dhe unë dua të denoncoj këtë qëndrim që po mbahet nga shumica e anëtarëve të KRRT-së, i cili nuk është në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. Ne kemi thënë edhe herë tjetër se porti i peshkimit bie ndesh me planin rregullues të qytetit, i cili është në fazën e fundit të hartimit të tij dhe për këtë arsye bashkia dhe specialistët kanë dalë kundër ndërtimit të tij në vendin që propozohet nga Ministria e Mjedisit. Ne do t’i drejtohemi gjykatave nëse vazhdon ky bllokim për të vazhduar procedurat e mëtejshme dhe në rast të kundërt mund të iniciojmë edhe shkrirjen e KRRT-së”.
Reagimi
Pesë nga tetë këshilltarët e djathtë janë mbledhur pas tre orësh në një nga ambientet e prefekturës së Durrësit dhe kanë shpjeguar bojkotimin e mbledhjes nga ana e tyre. Ardi Muka ka deklaruar para mediave se si shumicë e KRRT-së dhe me të drejtë legjitime kanë kërkuar që KRRT të mblidhet sa më parë dhe të përfshihen në të pika për shqyrtimin e kërkesës së Ministrisë së Mjedisit për rifreskimin e lejes së sheshit të ndërtimit për portin e ri të peshkimit. Muka ka deklaruar se: “Në datë 1 shkurt të këtij viti është nisur një shkresë në drejtim të bashkisë ku kërkohej pikërisht kjo gjë, por në datën 18 shkurt ne na sollën njoftimin për mbajtjen e mbledhjes në datën 23 mars dhe në rendin e ditës nuk ishte përfshirë pika për portin e peshkimit. Në këto kushte ne nisëm një shkresë të dytë në datën 19 mars që të futej pika për portin e peshkimit në mbledhjen që ishte caktuar për datën 23 mars, por nuk morëm asnjë përgjigje. KRRT e Bashkisë së Durrësit e ka miratuar një herë lejen e sheshit të ndërtimit në vitin 2004 dhe bllokimi që po bën tani kryetari i bashkisë zoti Dako po shkakton edhe bllokimin e punës në kalatën e trageteve për shkak të punimeve që duhet të bëhen aty. Ne nuk mungojmë në asnjë mbledhje dhe jemi të gatshëm të mblidhemi menjëherë në rast se futet në rendin e ditës pika për portin e peshkimit, sepse në këtë rast bashkia po bën shkelje të ligjit”. Muka ka deklaruar, pas pyetjes se bie ndesh me planin ri rregullues të qytetit, se për masterplanet e reja merren parasysh masterplanet e vjetra dhe studimet e miratuara së bashku me mendimin grupeve të interesit, siç janë në këtë rast peshkatarët.
Rendi i ditës
Në rendin e ditës së mbledhjes së djeshme ishin parashikuar që të shqyrtoheshin 67 kërkesa për leje ndërtimi, 78 kërkesa për leje sheshi ndërtimi dhe 10 studime të pjesshme urbanistike për investime publike. Dështimi i njëpasnjëshëm i mbledhjeve të KRRT-së pritet të ketë ndikimin e vet në të ardhurat e bashkisë që sigurohen nga lejet e ndërtimit dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë. Nga ana tjetër në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak është njoftuar paraqitja e projektbuxhetit të vitit 2010 dhe aty mund të ketë përsëri përplasje midis këshilltarëve të majtë dhe atyre të djathtë.