E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-vila e Hoxhës në Vlorë dhe rezidenca qeveritare në Velipojë, shpallen 2 studiot arkitekturore që do t’i rijetëzojnë

Dy nga rezidencat qeveritare më të njohura në Shqipëri do të marrin jetë të re falë projektit strategjik “Hospitality Albania”, një nismë e qeverisë shqiptare për transformimin e aseteve publike në qendra moderne të mikpritjes dhe turizmit elitar.

Në një konkurs ndërkombëtar të organizuar për rijetëzimin e rezidencave në Velipojë dhe Vlorë, janë shpallur fituese dy studio prestigjioze arkitekturore: “Saunders Architecture” nga Norvegjia dhe “Practica” nga Spanja.

Velipoja – Ndërthurje e identitetit me funksionin publik

Projekti i studios “Saunders Architecture” për rezidencën e Velipojës u vlerësua për respektin ndaj natyrës dhe trashëgimisë ekzistuese. Koncepti i kullës vertikale dhe hapja e rezidencës për funksione publike janë veçuar si elementë që e lidhin arkitekturën me komunitetin, duke ruajtur autenticitetin lokal dhe duke ofruar hapësira të reja për kulturë dhe turizëm.

Vlora – Peizazh që flet me arkitekturën

Ndërkohë, për rezidencën e Vlorës, ku konkurruan katër studio ndërkombëtare, juria shpalli fitues projektin e studios “Practica”. Propozimi u dallua për harmonizimin e strukturës me terrenin dhe peizazhin përmes tarracave të gjelbëruara që ndërlidhin ambientin me ndërtesën. Ky integrim u vlerësua si një qasje bashkëkohore, e ndjeshme ndaj vendndodhjes.

Shteti si sipërmarrës modern

Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e fituesve, theksoi rëndësinë e këtij modeli të ri bashkëpunimi shtet-privat, ku shteti nuk është thjesht pronar, por edhe aktor aktiv në zhvillim ekonomik.

“Po zhvillojmë një infrastrukturë të re financiare për shtetin, duke e vënë në rolin e një sipërmarrësi që bashkëpunon me sektorin privat në mënyrë të barabartë. Është një rrugë e re me potencial të madh për të krijuar të ardhura dhe për të rikthyer në vlerë asete që deri dje ishin të braktisura,” tha Rama.

Turizëm, art dhe kujtesë historike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, theksoi se këto asete shtetërore nuk janë vetëm ndërtesa me vlera arkitektonike, por edhe vende me histori të ngulitur në kujtesën kolektive.

“Janë trashëgimi e një periudhe të hidhur, por janë kthyer në vende arti, kujtese, dokumentimi dhe edukimi. Ato gjenerojnë ekonomi përmes industrisë më të gjallë të vendit – turizmit,” deklaroi Kumbaro.

Një vizion për Shqipërinë turistike

Projekti “Hospitality Albania” ka për qëllim kthimin e ish-rezidencave shtetërore në struktura moderne dhe ekskluzive që do të presin personalitete të botës së politikës, kulturës dhe biznesit ndërkombëtar. Gjithçka, pa cenuar pronësinë shtetërore, por duke e shndërruar atë në burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe promovimi për Shqipërinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›