E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishte dënuar për trafik droge, Prokuroria e Tiranës sekuestron pasuritë e paluajtshme të 54-vjeçarit

Dy apartamente dhe një grazhd janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës  në kuadër të një hetimi pasuror ndaj 54-vjeçarit A.A., i dënuar me 10 vite burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nxjerrë në pah se të ardhurat e ligjshme të A.A. dhe familjarëve të tij nuk justifikojnë investimet e kryera në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

“Ekspertiza kontabël ka konstatuar një disproporcion të dukshëm mes pasurive të zotëruara dhe të ardhurave të deklaruara, duke ngritur dyshime se ato janë krijuar nga veprimtari kriminale”, thotë prokuroria.

Prokuroria thekson se hetimet kanë provuar përfshirjen e shtetasit A.A. në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa pasuritë e identifikuara konsiderohen të pajustifikuara në raport me burimet e ligjshme financiare të deklaruara.

Pasuritë e sekuestruara janë:

Një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m², së bashku me një verandë prej 44 m², në një kompleks multifunksional në rrugën “Xhanfize Keko”;

Një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m² dhe një garazh me sipërfaqe 16 m², në katin -2 të një kompleksi multifunksional në ndërtim në rrugën “Kahreman Ylli”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›