“Ishte dritë,” i ati i Ilaria Sulës, dërgon letrën rrëqethëse: Jo hakmarrje, por drejtësi

Një letër prekëse e Flamur Sulës, babait të Ilaria Sulës, ka mbërritur në redaksinë e emisionit “Në Kohë Reale”.
Në të, i ati i vajzës 22-vjeçare shqiptare, e vrarë në Romë, shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e vajzës së tij, duke folur njëkohësisht për fenomenin e feminicidit.
Flamur Sula, mes dhimbjes së pafund, dërgon një mesazh të fuqishëm për shoqërinë: duhet të reagojmë kolektivisht kundër kulturës që minimizon gratë, i kontrollon ato dhe ngatërron dashurinë me pronësinë.
“Ndodhi, vajzës sime i ndodhi vërtetë. Ilaria nuk është simbol, as numër dhe as titull gazete. Ilaria ishte vajza ime. Ajo ishte gjallë, ishte e pranishme, ishte dritë. Ishte një vajzë e jashtëzakonshme, e qeshur, kurioze, plot gjallëri. Një grua e re që nuk reshte kurrë së mësuari, së buzëqeshuri, së besuari në të ardhmen. Kështu e njihnit ju, po kështu e njihja edhe unë çdo ditë si baba. Dhe pastaj e gjeta veten duke shqiptuar fjalë që asnjë prind nuk duhet t’i thotë kurrë, duke u detyruar të shpjegoj të pajustifikueshmen, duke pyetur veten ende sot si mundi të ndodhë”, shkruan Sula në letrën e tij.
Gjithashtu ai shkruan më tej se fenomeni i feminicidit nuk vjen nga hiçi por nga “një kulturë që minimizon, që kontrollon, që ngatërron dashurinë me pronësinë”
“Feminicidi nuk vjen nga hiçi.
Ajo vjen nga një kulturë që minimizon, që kontrollon, që ngatërron dashurinë me pronësinë. Dhe kjo kulturë, nëse nuk e ndalojmë vazhdon të godasë. Unë nuk e di si të lutem, por di si të shpresoj.
Di si të shpresoj që ky shi lotësh do të zgjojë ndërgjegjet tona. Di si të shpresoj që nga vdekja e Ilarisë të vijë një ndryshim i vërtetë, i thellë dhe kolektiv.
Nuk kërkoj hakmarrje, kërkoj përgjegjësi, kërkoj drejtësi. Kërkoj që kujtimi i Ilarisë të bëhet përkushtim, edukim, respekt.
Nëse flas sot është sepse Ilaria nuk mund ta bëjë dot më këtë. Heshtja e saj dhe zëri ynë. Të mos mbahet mend Ilaria si vajza e valixhes, por për atë që ishte dhe për atë që së bashku duhet të bëhemi”, shkruan Sula në letrën e tij prekëse.
/rtsh.al/