Ishte marrë peng nga Hamasi më 7 tetor, ushtria izraelite gjen varrin e 47-vjeçarit

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se ka gjetur kufomën e njërit prej pengjeve që mbahej në Gazë nga militantët e Hamasit pas sulmeve të 7 tetorit.
Trupi i Elad Kaxirit (o. Katzir) u gjet i varrosur në një kamp refugjatësh të Kan Junisit. I ndjeri u identifikua edhe nga mjekët ligjorë.
Sipas shërbimeve inteligjente izraelite, 47-vjeçari Elad Kaxiri “u vra nga organizata terroriste e Xhihadit Islamik gjatë kohës kur mbahej peng”.
Viktima u mor peng më 7 tetor së bashku me nënën e tij Hanën, 77 vjeçe, ndërsa babai, Avrahami, u vra në vend. Hana dhe 104 pengje të tjera u liruan në fund të nëntorit në kuadër të armëpushimit gjashtëditor.
Në janar, grupi militant palestinez, Xhihadi Islamik, publikoi një video të 47-vjeçarit, ku ai thoshte se i ishte afruar vdekjes më shumë se një herë dhe i bënte thirrje qeverisë izraelite të ndalte luftën dhe ta kthente atë dhe të tjera pengje në atdhe. Sipas burimeve ushtarake që informuan mediet në Izrael, z. Kaxir u vra në mesin e janarit pasi ishte filmuar videoja.
Nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 mbetën të vrarë rreth 1.200 persona, shumica civilë. Prej atëherë viktima kanë mbetur edhe mbi 33 mijë njerëz në Gazë. Izraeli ka deklaruar se gjatë sulmeve u morën pengje 253 izraelitë dhe të huaj. /BBC
/rtsh.al/