E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishulli i tmerrit oseutopia e përmbysur e Ben Blushit

JOSIF PAPAGJONI

Romani Shqipëria, më voluminoz se dy romanet paraardhëse të autorit, ka veçse hirin apo veskun e romanit historik, pasi fictioni është tharmi i vetë materies letrare të tij duke e cytur mendjen e shkrimtarit jo aq kah sendërgjimi i një subjekti plot befasime e peripeci, sesa drejt rrjedhave e vallëzimeve meditative e filozofike ku lexuesi rreket të abstragojë mbi përvoja antropologjike, politike e historike jo thjesht dhe vetëm shqiptare. Vepra është e hapur për të dhënë shpjegime mbi raportet e njeriut me prijësin, me Zotin, me shtetin, me veten, me dashurinë dhe posaçërisht me lirinë. Është një Shqipëri siç ka qenë, siç është dhe siç (mos o Zot!) do të jetë?!… (e kundërta e traktatit mendjehapës të Sami Frashërit). Vallë, një fatalitet tragjik, apo një ambiguitet që ende i rri sipri njeriut shqiptar dhe viseve të tij si qyrku i Herkulit, i cili në shumëçka e shpëtoi nga vdekja, por në fund i dha bash atë: vdekjen.
Blushi kërkon dhe ndërton një strukturë, ta quajmë, arketipale personazhesh. Ai nuk ka kurrfarë kujdesi për rekuizitën etnografike, as për mjediset identifikuese, ca më pak për maskën e fytyrës, veshjen, gjestin, karakterizimin gjuhësor dialektal, profesional etj. E rëndësishme për të është personazhi-ide apo ideja-personazh. Tërheqja ndaj vramendjes dhe meditimit janë kthyer vetiu te ky roman në stil letrar. Ca më shumë, kjo vepër, elementin narrativ e mbivendos si vetërrëfim, si monolog apo si përsiatje e tërthortë personazhesh. Të tria këto forma, tok me ritmin sintaksor që anashkalon shumëçka nga trajtat klasike e tradicionale, me parapëlqime drejt rrjedhës psikike, vijueshmërisë që formësohet falë një ekonomie ekstensive mendimi, konsolidon një procede romanor modern dhe pak të hasur në letërsinë shqipe.
Utopia e përmbysur
Utopitë dhe utopizmi kanë qenë e mbeten çarqe të mendjes për më shumë drejtësi e barazi, për më shumë lumturi. Zoti, ndoshta, e zëvendëson më fort se kurrkush utopinë. Lek Dukagjini i romanit Shqipëria sështë një Zot, por dëshiron të marrë atributet e Zotit. Ai kërkon tu japë shqiptarëve një vend krejt të veçantë, tu falë një utopi. Dhe për këtë zgjedh një ishull në mes të detit, i pabanuar, i izoluar, ku sjell fëmijë nga prindër shqiptarë, por të ndarë prej tyre qysh në lindje dhe të rritur si spartanët. Mëpastaj ndërton strukturën e një shteti shtypës, me parimin hierarkik ku lideri shndërrohet jo në prift (bari i shpirtit), as në urtan apo strateg (bari i kombit), ca më pak në shëlbyes, profet a misionar mesianik (bari i njerëzimit), por në Zot të gjithëpushtetshëm, perfid e të atrofizuar, që rreket të trashedentohet. Duke u ofruar njerëzve privime natyrore e burimore siç qenë prona, paraja, familja dhe dashuria, ai dhe utopia e tij shpërndërrohen në diç antinatyrore dhe antiburimore, domethënë në një antijetë. Afërmendsh, utopia ka rënë kryepingulthi në llum. Ajo është bërë utopi e zezë: le ta quajmë një ëndërr e keqe nëse utopinë do ta pranonim si ëndërr e bukur. Dhe atëbotë, parajsa që Zoti fiktiv, arrogant, puritan dhe i imponuar i shqiptarëve u kumton shtetasve të vet, sështë veçse ferri në fillim si mendim dhe projekt, pastaj si sendërtim dhe realitet. Hidhnak ndaj familjes dhe dashurisë, si dy kolonat ku e para e riprodhon jetën kurse e dyta e fisnikëron atë, ky patriark i mbrapsht, tiran dhe me një fëmijëri të kastruar, thuajse perverse, shndërrohet në një përbindësh. Paçka se mëtonte të bëhej Zot te një popull individualistësh si shqiptarët që e sfidonin Zotin ose e tejkalonin atë, paçka se rrekej të hartonte ligje dhe të ndërtonte një shtet, ai vdes si njeri dhe si një plak i vetmuar me një pjatë bizele ende të pagëlltitur në stomak. Utopia e tij e përmbysur ishte synimi për të krijuar një vend-kazermë. Shqipëria do të jetë një vend i mbyllur. Bota nuk do të lejohet të na njohë, për sa kohë që ne nuk duam të njihemi. (f. 237) Për këtë shkak edhe vdekja e tij u prit nga banorët e ishullit si një çlirim. Ligjet e tij ishin antihumane. Si mund ti bindem pa kundërshtuar një Zoti, që kërkon të vendos se kur duhet të kem fëmijë, me kë duhet ti bëj dhe sa fëmijë duhet të bëj, të cilët, nëse ai më lejon ti bëj, ndoshta nuk do ti njoh kurrë, – shprehet njëri nga personazhet për Lek Dukagjinin-Zot dhe ligjet e tij. – Nëse Zoti mi ndalon këto, atëherë unë jam kundër Zotit. Ky Zot është kundër lirisë dhe atëherë, ne duhet të jemi kundër këtij Zoti në emër të lirisë…. (f. 133) E drejta që vepron në shtetin e projektuar prej Lek Dukagjinit është një e drejtë e përmbysur. Ajo ka mohuar Zotin dhe sublimatin e tij: dashurinë. I vendosur midis kafshës dhe engjëllit (nënkupto, Zotit), Lek Dukagjini rreket të ndërtojë një njeri-shqiptar të bindur e të verbër ndaj urdhrit të të zot, diçka që i ngjan qenit të rrahur.
Në vend të Zotit
Romani Shqipëria është nga të rrallët, në mos i vetmi që kumton kaq shumë mendime për Zotin. Një vend dikur ateist, që mëkonte një letërsi po ateiste, e cila mburrej se Zotin, e kishte dëbuar nga letrat dhe e kishte zëvendësuar me punëtorin, fshatarin, ushtarin, gjer edhe me lopën, gomarin apo kafshën e punës, solli një mungesë të frikshme të pranisë teologjike në mendësinë e personazheve të kësaj letërsie, anashkalimin e dhunshëm të argumenteve mbi Zotin dhe fuqinë eskatologjike si pjesë e qenies. Më parë letërsia shqipe dritësohej nga mendimi i Fishtës për Zotin, por edhe nga Fan Noli, Koliqi, Kuteli, Poradeci, Ethem Haxhiademi, madje edhe nga metaforat dhe nënshtresat parabolike biblike të Migjenit. Pastaj Zoti në letërsinë e realizmit socialist u përjashtua. Edhe pas viteve 90, Zoti përsëri ka munguar. Ben Blushi është nga ata shkrimtarë që si druhet mendimit për Zotin. Përsiatjet e tij të shumta në faqet e këtij romani nuk janë aspak retorike, ca më pak pjesë e dogmës dhe kompilimeve teologjike në trajtë të letrarizuar. Ato janë një flatrim i lirë në një hapësirë filozofike po të lirë, thuajse të shpenguar, e prapëseprapë koherente. Zoti nuk është froni i jetës, por shpjegues i saj. Më së shumti koncepti i tij ngërthehet në rrafshet e filozofisë dhe ontologjisë, sesa të teologjisë. Shkrimtari e sjell paradigmën mbi Zotin në disa qasje, gjer dhe ato blasfemuese, ku më thelborja është abuzimi me qenësinë dhe simbolikën e tij, si fuqi superiore dhe e admirueshme. Lekë Dukagjini donte të ishte Zot dhe njëkohësisht e ndalonte Zotin. Gjithsesi ai u bë një Zot për shqiptarët me Kanunin e tij si shteti në shtet. Por, një Zot i keq. Enver Hoxha, dytësi, kipci apo fytyra prej Janusi e Lek Dukagjinit, e mohonte Zotin, madje e shpotiti Zeusin mes ca admiruesve, duke nënkuptuar dhe duke u imponuar si një Zot dhe Zeus zemërak i shqiptarëve. Ka vetëm një mundësi për ta shpëtuar Shqipërinë: duhet ti bindim të gjithë se Lek Dukagjini nuk është Zot, ai është një njeri që kërkon pushtet për vete. Zoti është dashuri… Është sa tragjike, aq dhe groteske pse shqiptarët pjellin vazhdimisht Zotat e tyre. Blushi Zotin e Tokës e këqyr si një megatemë, si një metatekst romanor, si një tharm shpirtëror ngjizës përtej shumësisë dhe anarkisë së sekteve: papëve, imamëve, kryepeshkopëve.
Kur Zoti bëhet Njeri, ai sështë veçse një diktator. Në vend të engjëjve, ai krijon djajtë e vet. Më i tmerrshmi djall në roman është Mehmeti, një personazh i shkëlqyer për nga portretizimi, me kruarjen e lëkurës së tij të çarë e bërë gjak nga ekzema si lëkura e kuqe e Satanait. Një i përbetuar. I frikshëm. Besnik në vdekje. I dyti është Shtuni, e njëjta prerje prej djalli, por i fshehtë, si gjarpri nën gur. Nga kalendari i kriminelëve, këta të sjellin ndërmend modelet tiranike, kriminale e djallëzore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e co. Zëvendësi i paracaktuar i Lek Dukagjinit është personazhi i Enverit: vrasës, pervers dhe kriminel.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›