E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një deklaratë e padëgjuar

 Preç Zogaj

Berisha deklaroi parmbrëmë  në  një intervistë me gazetarin  Çlirim Peka se 21 janari do të hetohet nga Kryeprokurori i ri . Domethënë,  nga kryeprokurori i ri, që do të  dekretohet nga Presidenti i ri, që do të zgjidhet  me shumicë të thjeshtë nga  shumica qeveritare. Në terma konkretë, nëse gjithçka shkon sipas kësaj llogarie,  i bie që hetimi  që ka  ndërmend  kryeministri të fillojë nga prilli apo maji i vitit 2013.

Bashkë me  afatin e ri,  Berisha përcaktoi në të njëjtën intervistë edhe disa nga drejtimet e hetimit të ri. Do të hetohet kryeprokurorja Ina Rama, por do të hetohet edhe vëllai i të vrarit  Ziver Veizi,  i cili i paska deklaruar një  gazete se Ziveri kishte ardhur nga Greqia të rrëzonte  Berishën!! Por ky e rrëzoi  përpara, -  do të  shtonte kronikani  i ngjarjes. E rrëzoi me plumbat e  gardistit Llupo teksa Ziveri po bënte  në bulevard, me duart në xhepa, magjinë  e tij të rrëzimit të kryeministrit.

A mund ta pranojnë këtë  shteti shqiptar, opinioni publik shqiptar, familjet e  viktimave të 21 janarit,  Uashingtoni dhe Brukseli që asistojnë funksionimin e shtetit  të së drejtës në Shqipëri? Në asnjë mënyrë. Si individ dhe si kryetar qeverie, zoti Berisha mund ti apelojë në të gjitha instancat ligjore kombëtare  e ndërkombëtare rezultatet  e një hetimi apo gjykimi. Por ai nuk mund të vendosë  afate dhe detyra   hetimi  që përkojnë me dëshirat  apo synimet e tij politike. Shteti i së drejtës nuk është anëtar i asamblesë së PD-së që Berisha mund ta ngrijë  sa herë të dojë.

Megjithatë, bëhët a sbëhët , Berisha  i foli  fjalët e veta. Fjalë që nuk janë thënë e nuk kanë për tu thënë ndonjeherë nga asnjë kryeministër i një vendi demokratik, ngaqë  asnjë kryeministër i një vendi demokratik, sado i zemëruar, i revoltuar  apo i lënduar të jetë, nuk e çon kurrë nepër mend të  caktojë axhendën e institucionit të akuzës. Kuptohet: Sfida apo dorashka e  hedhur  nuk është për kryeprokuroren Ina Rama. Ka kohë që ky kryeministër nuk e njeh këtë kryeprokurore. Sfida e re ka lidhje me zhbllokimin e  hetimeve  për 21 janarin, pas ekspertizës së FBI-së. Kjo ekspertizë  vendosi gurët e themelit në ngrehinën e  së vërtetës së 21 janarit: Që  është qëlluar nga forcat e  Gardës.  Që është qëlluar në lartësinë  e trupit të  njeriut. Që  arma që ka vrarë Faik Myrtajn i përket  ish komandantit të Gardës, Ndre Prendi. Që filmimet e asaj dite nga kamerat e kryeministrisë janë kopjuar e  fshirë.  Që prokuroria shqiptare  është sabotuar e mashtruar  edhe në këtë pikë.

Mjaft  prej ketyre të vertetave publiku i ka ditur që para një viti, por është dashur çertifikimi  profesional i FBI-së për ti bërë të  palujtshme dhe të pakonstestueshme.  Falë tyre, 21 janari po tregon  tani majën e ajsbergut.  Kjo e ka acaruar Berishën. Ai e di mirë se zgjimi  dhe zgjerimi i fushës së hetimeve  është  pasojë e ekspertizës.  Thelbësisht  sfida e tij u drejtohet amerikanëve. Berisha po replikon me  zyrtarët amerikanë që kanë  pohuar se  hetimet e ndërmarra nga Prokuroria  kanë qenë dhe janë të pandikuara nga politika. Më shumë se kaq, ai po kërkon tu njoftojë atyre  se nuk e njeh  këtë hetim, se do të verë në lëvizje një hetim  të tijin. Megjithëse është palë dhe jo mbi palët në tragjedinë e 21 janarit.

A e di vallë ky kryeministër peshën negative që ka kjo deklaratë në  kancelaritë perëndimore  dhe në opinonin publik shqiptar? Me sa e kam njohur unë mund të pohoj se e di. E di se në pikwpamje të artikulimit  kjo që ka thënë është  një  gjë që nuk mund të thuhet, është një  autogol i tmershëm që zbulon një  koncept  arkaik për shtetin. Nëse  nuk  e mendojmë kështu, ateherë duhet të mendojm렠 se  gjithë sistemi perëndimor i ndarjes së pushteteve, për të cilin  është derdhur gjak dhe dituri nga më e larta, paska një të çarë të madhe, që  u zbulua në Shqipëri. E  çara është kjo: po të mos dojë kryeministri i vendit  nuk ka hetim për asgjë! Kjo sigurisht nuk është historia e Europës dhe Amerikës demokratike.

Kryeministrave apo Presidentëve mund të mos u pëlqejnë  fare prokurorët dhe gjyqtarët. Madje mund të jenë edhe në konflikt me ta, siç e kemi parë në rastin e ish-kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni. Por kjo nuk e pengon shtetin ligjor të punojë. Konfliktet shtrohen dhe zgjidhen në aulën e drejtësisë. Nga ana tjetër nuk ndodh që për ketë shkak politikani të shtyhet në gabimin e madh që të  kërkojë  vota për  të ndryshuar prokurorët e shtetit me prokurorët e  oborrit të tij. Ky  gabim ndëshkohet shumë rëndë nga zgjedhesit.  Besoj se Berisha e di edhe këtë.

Pse atëherë ka rrezikuar kaq shumë me ato që tha në emisionin e Çlirim Pekës? Mos  e kanë lëshuar nervat? Mos e ka marrë përpara zemërimi dhe nuk ka ditur në çfarë minash po shkel?  Që kryeministri është shumë nervoz, kjo duket qartë.  Që nervozizmi është një këshilltar shumë i keq për një qeveritar, edhe kjo dihet. Pa e përjashtuar rolin e nervozizmit  në shkarjet e herëpashershme të Berishës, unë kam përshtypjen se deklarata e tij  për hetimin e 21 janarit nga një  kryeprokuror  i ri  është më shumë e menduar se sa emocionale. Në këtë moment kur ekspertiza e FBI-së ka rrëzuar gjithë tabllonë  e tij të kërkuar për ngjarjet e 21 janarit, duke sjellë në fokus  krimin e  vrasjes së katër qytetarëve, shqetësimi i tij i vetëm  është  pengimi dhe sabotimi i hetimeve. Ska rëndësi çfarë do të thuhet  e si do të komentohen  deklarata e tij antidemokratike në Bruksel apo në Uashigton. Me pak fat, këto aksidente të fatit rregullohen rrugës. Rëndësi ka të stopojë hetimi penal. Për ketë duhet denigruar, kompleksuar e kërcënuar Prokurorja e Përgjithshme dhe gjithë prokurorët që merren më hetimin e 21 janarit.

Kushdo që  i ka  ndjekur  zhvillimet pas 21 janarit mund ti drejtohet  kryeministrit me një kërkesë të thjeshtë: Ju keni ngritur vetë një komision hetimor parlamentar me deputetë të partisë suaj. Përse nuk ia keni dhënë këtij komisioni sëpaku faktet që ju thoni se keni? Përse nuk ia keni dhënë policisë së shtetit që ka hetuar  organizatorët e demostaratës dhe nuk ka gjetur asnjë fakt që ti inkriminojë ata penalisht? Kërkesën e parë Berishës ia kanë berë edhe në komisionin hetimor  parlamentar. Nuk është përgjigjur dhe nuk do të përgjigjet për arsyen e thjeshtë se nuk ka asnjë fakt. Fanitjet e tij të tipit të tabllove sinoptike nuk vlejnë në asnjë aulë drejtësie.

Hetimi i 21 janarit ka hyrë në hulli dhe po shkon përpara falë ndihmës amerikane. Ky hetim mund të thellohet në të ardhmen, por Berisha nuk e ka serjozisht kur flet për hetim nga prokurori i ri. E gjithë kjo është në vazhdën e trembjes së prokurorëve  dhe zvogëlimit të efekteve që po krijojnë në publik provat e BBI-së. Kaq. Berisha mund të ketë fakte që rëndojnë edhe më shumë pozicionin e tij brënda kryeministrisë, por nuk ka asnjë fakt që nuk po hetohet. Berisha nuk ka asnjë garanci se do të zgjedhë ai një kryeprokuror të ri. Edhe po të ndodhë kjo, kohërat kanë ndryshuar, kryeprokurori i ri, cilido qoftë ai, nuk do të bëhet kamikaz i kërkujt.

Së fundi, Berisha ka kundër historinë në këtë mëtim politik dhe propagandistik.  Gjatë këtyre dy dekadave  ai është venë në konflikt të hapur me  gjithë  kryeprokurorët- me  Maksim Haxhinë, Arben Rakipin, Dhori Sollakun dhe Ina Ramën- pavarësisht se tre prej tyre i ka votuar vetë. Por përvojën më të keqe e ka me të vetmit prokurorë me të cilët i qenë puqur interesat: Me ata që fabrikuan burgosjen e Fatos Nanos dhe i përgatiten  Shqipërisë rrëshqitjen e tmerrshme të vitit 1997. Shqipëria dhe miqtë e saj i kërkojnë Berishës si kryeministër  ta ndalojë  dhe jo ti japë një dorë tjetër të fuqishme rrëshqitjes së re të Shqipërisë. Siç është kjo që po mundohet ti japë me  pengimin  e hetimeve për 21 janarin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›