E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Kutitë nuk do të hapen, PS do “thyejë” bojkotin

Ai deklaron se hapja e kutive nuk do të bëhet dhe as largimi i Sali Berishës nuk do të arrihet.

“Shanset janë që PS-ja të mos futet në zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen në vitin 2013. Ka një mundësi të vogël që pas zgjedhjeve vendore, të jetë Berisha ai që pasi ka siguruar liberalizimin e vizave, të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Por, edhe kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë, sepse PS-ja, e papërgatitur politikisht dhe për më tepër me kërkesën për qeveri pa Berishën, do të kërcënonte me bojkotimin edhe të zgjedhjeve të përgjithshme, që do të ishte e papranueshme nga ndërkombëtarët. Sidoqoftë, është shumë larg për të gjykuar me probabilitet të lartë se çfarë do të mund të ndodhë, por fatkeqësisht PS-ja po ecën në këtë rrugë”, shprehet Islami në një deklaratë për mediat.

Gjithashtu, ai ka parashtruar edhe opsionet që deputetët e Partisë Socialiste të “thyejnë” bojkotin. Islami mendon se gjatë janarit deputetët opozitarë do të bëhen pjesë e Kuvendit.

 “Ose për të paraqitur kërkesën e firmosur nga 20 mijë vetë për hapjen e kutive, ose nëse Gjykata Kushtetuese do të kthente marrëveshjen për kufirin detar, ose diçka tjetër. Dhe, me shumë gjasa, pas kryerjes së betimit dhe qëndrimit tanimë të shprehur qartë për refuzimin e hapjes së kutive të votimit nga maxhoranca, grupi parlamentar i PS-së do të dilte përsëri jashtë Kuvendit për të vazhduar bojkotin me të njëjtën kërkesë për hapjen e kutive të shoqëruar me protestën "Berisha Ik". Kjo gjë ka shumë gjasa të ndodhë në fillim të sesionit tjetër, në janar 2010”, thuhet në deklaratë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›