Islami: Ministrat e rinj, jesmenë të Ramës. Qeveria e re nuk ka rrugë tjetër, veç dështimit
Ish-deputeti socialist, Kastriot Islami, tashmë demokrat, shprehet i bindur se qeveria e re do të dështojë. Ai thotë se ky probabilitet është shumë i lartë. Sipas tij, kjo gjë do të ndodhë për faktin se kabineti i ri, me përjashtim të ministrave të LSI-së, përbëhet nga ministrave pa eksperiencë dhe jesmenë (servilë).
Në PS, një nga elementet themelore të investimit në burimet njerëzore, sistemi i karrierës e meritave është shkatërruar plotësisht ose, më saktë, nuk ekziston më dhe ai është zëvendësuar nga sistemi i klientelizmit. Kandidat-kabineti aktual është prova shembullore e këtij përfundimi, por dështimi i saj nuk duhet paragjykuar, ndonëse është një ngjarje me probabilitet të lartë. Prania e të gjithëve kandidat-ministrave, së bashku e njëkohësisht, në kandidat-kabinetin aktual, ndërkohë që janë përjashtuar të gjithë ata me eksperiencë qeverisëse e kontributet më të mëdha, është rezultat i mungesës së sistemit të karrierës sipas kontributeve, eksperiencës e meritës dhe i aplikimit të konceptit klientelist. Është normale që secili kandidat i kabinetit ka aspiruar për të qenë në kabinet, ndihet mirë që është në kandidat-kabinet (edhe për faktin që kjo ndodh për herë të parë) dhe natyrshëm mendon se është aty për shkak të kontributit e meritave individuale. Por e vërteta është ndryshe, secili prej tyre, burrë apo grua, i ri apo i vjetër, është zgjedhur fatkeqësisht për të qenë jesmen dhe, nëse kjo nuk ndodh, ai me shumë gjasa do të jetë jashtë kabinetit, madje me rregullin e ri të ndarjes së mandatit të deputetit nga ai i ministrit, ai do të jetë edhe jashtë politikës, pavarësisht arsyes përse është futur në kabinet apo kontributit, meritave apo aftësive individuale.
Pra, të gjithë anëtarët e kabinetit (përveç atyre të LSI) nuk mund të mos perceptohen pjesë e klientelës dhe jesmenizimit, sepse sistemi mbi të cilin është ngritur kabineti është klientelist-jesmenist dhe, në një kabinet të tillë, ose je klintelist/jesmen dhe je anëtari tij ose nuk je klintelist/jesmen dhe je jashtë tij; sepse sipas filozofisë/konceptit rilindës, përgjegjës për të qenët klientelist/jesmen është sistemi dhe sistemi i ngritur prej 8 vjetësh është klientelist/jesmenist, shkruan ai në një analizë të gjatë për Panoramën.
Islami ndërkohë thotë se Rama ka lënë pa përfaqësuar në qeveri Kukësin dhe Shkodrën, ku PS-ja ka arritur rezultate të larta dhe ka futur nga dy ministra nga Gjirokastra dhe Fieri, edhe pse sipas tij, PS ka pësuar një rënie në rezultat.
Islami shprehet se PS nuk është fituese e zgjedhjeve, pasi ajo ka marrë vetëm 64 deputetë dhe rezultati i 23 qershorit, sipas tij, është më i dobët me zgjedhjet e 2009./b.l