Publikohet FOTOJA e lamtumirës. Berisha: Ndryshova historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë (përfshi emrin e Bjeshkëve të Namuna)
Kryeministri Sali Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook foton e fundit të kabinetit qeveritar, duke theksuar se ai ka ndryshuar në këto tetë vite historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë.
Berisha zotohet në FB se do të bëjë gjithçka në mbështetje të interesave dhe aspiratave fisnike të shqiptarëve.
Të dashur miq, sot ishte mbledhja e 425-të dhe e fundit e dy mandateve të mazhorancës së PD. Në 7255 ligje, akte normative dhe vendime të miratuara në këto mbledhje si dhe qindra e mijëra veprimtari të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare u ndryshua në mënyrë përfundimtare historia, gjeografia dhe roli gjeostrategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, shkruan Berisha në FB.
Dhe një nga këto ndryshime duket se është ndryshimi i emrit të Bjeshkëve të Namuna, për të cilin është marrë një vendim.
Këtu ka shumë vendime, janë vendimet për lirimin nga detyra të zëvendësministrave, të cilat miratohen, por është edhe një vendim për Bjeshkët e Namuna, të cilat do të quhen Bjeshkët e Bekuara. Me këtë rast doja tu jepja një këshillë të gjithë komuniteteve që aty ku ka emra që nuk janë eufonikë, por janë le të themi kakofonikë, bashkërisht mund të vendosim për të përshtatur një emër që atyre u shkon më shumë dhe e gjykojnë më të këndshëm. Natyrisht, këtu e kemi edhe një problem me disa atavizma të lënë nga pushtuesit, por ky është një problem më i gjatë. Edhe për këtë duhet të ketë një angazhim dhe të gjuhëtarëve dhe historianëve, sepse nuk ka ndonjë të keqe. Ne kemi një trashëgimi të shkëlqyer, sidomos në dy zona ku ruhet etnosi i kombit, në Dukagjin dhe në Mokër. Po të shkoni aty i keni safi shqiptare të gjitha emërtimet dhe të gjitha toponimet. Por ajo që desha të theksoj unë ka të bëjë me shumë me eufoninë. Bjeshkët e Namuna nuk do të thotë se janë me nam, se kështu më tha një mik në Facebook. Ato nuk e kanë nga nami, por e kanë të namuna. Ato janë një mrekulli natyrës, janë magjepsëse, janë të mrekullueshme. Ftoj me këtë rast edhe qeverinë e Malit të Zi edhe qeverinë e Kosovës që të marrin të njëjtat vendime. Sa më shumë shqiptarë të shkojnë atje, aq më të bekuara do të quhen, tha Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë./ep