Islami: Sistemi zgjedhor, Edi Rama bën lojë të pasinqertë me aleatët

Deputeti i PS, Kastriot Islami
Deputeti socialist, Kastriot Islami, analizon marrëdhënien e kreut të PS-së me aleatët. Sipas tij, sjellja e Ramës është e pasinqertë lidhur me sistemin zgjedhor, gjë që është parë dhe në zgjedhjet e fundit. Duke dhënë disa opsione, Islami shprehet se të vegjlit duhet të shohin mundësinë e krijimit të poleve të reja në politikën shqiptare.
Z. Islami, a mendoni se duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor, dhe a do të pranohet propozimi i partive të vogla nga dy partitë kryesore?
Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një kërkesë, për të mos thënë presion, tanimë i partive të vogla, veçanërisht e atyre që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ndodhen jashtë Kuvendit. Kryesisht e partive të vogla të opozitës, por jo vetëm. Përgjigjja e dy partive kryesore për momentin duket jo e qartë për të mos thënë se është negative, pavarësisht se secila palë përpiqet tia lërë fajin palës kundërshtare.
Mund të ketë ndikim në marrëdhëniet mes partive të vogla dhe partive të mëdha, nëse propozimet e të vegjëlve nuk merren në konsideratë, apo ato janë të destinuara të qëndrojnë pranë partive të mëdha?
Një gjë është e sigurt, se ky debat dhe aq më shumë refuzimi i kërkesës së tyre do të jetë me ndikim për suksesin elektoral të dy partive kryesore, por pa asnjë dyshim shumë më tepër për PS sesa për PD. Ky ndikim do të jetë më i madh, nëse kjo përgjigje ndaj të vegjëlve nuk jepet në kohë dhe/ose nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme në përpjesëtim të drejtë me pritshmërinë dhe përmasën e tyre elektorale. Kjo sjellje mund të përbëjë edhe faktorin e dytë nga rëndësia për dështimin e PS në zgjedhjet e vitit 2013. Ky presion dhe një ndikim negativ eventual vijnë nga fakti se PS gjatë dy viteve të veprimit të saj radikal jashtë Kuvendit i ka shfrytëzuar maksimalisht drejtuesit e këtyre partive, duke rritur kështu pritshmërinë e aleatëve të saj për ti bërë pjesë të Kuvendit të ardhshëm, ndërkohë që aktualisht po tenton të krijojë tek ata bindjen se është Saliu që nuk e pranon kërkesën e tyre. Një tentativë kjo që vështirësisht do të vazhdojë të besohet prej tyre.
Opozita sikur duket e unifikuar në favor të qëndrimit të partive të vogla, ndërkohë që maxhoranca duket më refraktare. Mendoni se PS ka pranuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga i cili përfitojnë dhe të vegjlit?
Loja e PS me aleatët e saj nuk duket e sinqertë, ndërkohë që përpjekja për të fajësuar PD është naive. Këtë betejë simetrike se kush e ka fajin për mosndryshimin e sistemit me shumë gjasa nuk do të mund ta fitojë PS; Dhe, nëse kjo ndodh, gjë që ka shumë gjasa të jetë kështu, PS-së nuk do ti mbetej gjë tjetër, veçse të ishte humbësja e madhe e kësaj beteje dhe të shkëmbente me aleatët e saj akuzat për tradhti. Do të ishte e rëndë që alibia e një dështimi eventual në 2013-n të mbështetej nga PS në dy teza, njëra se zgjedhjet i vodhi Saliu dhe e dyta se na tradhtuan aleatët.
Cila është zgjidhja e sinqertë dhe sjellja luajale e saj me aleatët?
Krijimi i një aleance nga PS me aleatët e saj tradicionalë por jo vetëm, për zgjedhjet e vitit 2013, përmes një procesi transparent dhe një marrëveshje të sinqertë, përbën një nga kushtet e rëndësishme për të garantuar sukses në zgjedhjet e vitit 2013, po ashtu siç ishte mungesa e saj një nga arsyet kryesore të humbjes në vitin 2009. Gjithashtu, për të shmangur një krizë të mundshme, ndoshta edhe më të vështirë për tu zgjidhur, pas zgjedhjeve të vitit 2013 është e nevojshme që debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor… të mos kufizohet vetëm tek interesat e drejtuesve të disa partive të vogla, por të ngrihet në nivelin e kërkesës për një sistem politik më fleksibël e funksional, që shmang krizat që lidhen me bipolarizimin politik të personalizuar, klientelizimin, mungesën e një konkurrimi të ndershëm e të një debati ideologjik e programor, dhe që kanë në themel filozofinë fitorja ime është humbja jote dhe rezultojnë ciklike bazuar në frymën e një revanshi permanent këtë herë më fute ti në krizë, herën tjetër do të të fus unë.
Një parti e vogël çfarë duhet të bënte në një situatë të tillë, kur nuk ka gatishmëri nga dy partitë kryesore për të ndryshuar sistemin zgjedhor?
Gjëja e parë që nuk do të duhej të bënte një parti e vogël, që nuk është në Kuvend, është pikërisht ajo që ka bërë në 2009-n, sepse do të merrte të njëjtin rezultat, pra do të mbetej jo vetëm jashtë Kuvendit, por edhe jashtë jetës politike. Nga një analizë e shkurtër që do bëj më poshtë, del se partitë e vogla të cilat në zgjedhjet e vitit 2009 nuk kanë arritur të kalojnë pragun e 2.5 për qind të votave në shkallë kombëtare, do të jenë përsëri në zgjedhjet e ardhshme përballë tri mundësive: 1) ose të kërkojnë një ndryshim të sistemit zgjedhor përmes një korrigjimi kombëtar që e kthen sistemin aktual në një sistem proporcional kombëtar e mundësisht pa prag legal (sepse me prag 2.5 për qind sfida e kalimit të pragut mbetet e konsiderueshme edhe në rastin e korrigjimit kombëtar) dhe kjo do të përbënte ndoshta garancinë maksimale për to; 2) të shkrihen me partitë kryesore (PD, PS ose LSI) në formën e konfederatave apo të koalicioneve njëngjyrëshe, por me të gjithë avantazhet (avantazhi kryesor do të ishte që vetëm kryetari i partisë do mund të bëhej deputet në zgjedhjet e ardhshme) dhe disavantazhet përkatëse (që kjo skemë nuk ka asnjë garanci, përderisa partitë e vogla do të vdisnin përfundimisht dhe ish-kryetari do të gjendej në vorbullën e interesave dhe pasigurive të partisë së madhe) dhe 3) të amalgohen midis tyre për të formuar pole që mund të jenë të përfaqësuara në Kuvend (kjo është e mundur, po të kemi parasysh se të gjitha partitë e vogla jashtë Kuvendit kanë rreth 15 për qind të votave, aq sa për të formuar 2-4 pole me prezencë kuvendore të qenësishme).
Ka mundësi nga dy partitë e mëdha që të pranojnë opsionin e korrigjimit kombëtar?
Opsioni i parë, kërkesa për korrigjim kombëtar dhe pa prag legal është e vështirë (për të mos thënë e pamundur) të arrihet në praktikë, për shkak të pozicionit kundërshtues të dy partive kryesore, ndërkohë që do të ishte zgjidhja më e suksesshme dhe më e sigurt për një parti të vogël për të mbijetuar si një parti parlamentare. Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë, madje edhe nëse korrigjimi kombëtar do të jetë i pjesshëm apo edhe sikur të ketë një prag (vlera e të cilit është e rëndësishme).
Po opsioni i shkrirjes së partive të vogla me partitë kryesore çfarë avantazhesh dhe disavatazhesh ka?
Opsioni i dytë ka të bëjë me aplikimin e një taktike elektorale pa ndryshuar sistemin zgjedhor. Shkrirja apo konfederimi i partive të vogla me partitë e mëdha është një opsion që ka ndodhur dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen, por është i) një proces që varet nga lloji i konfederimit, ii) një proces që mund të shkaktojë vdekjen e partisë së vogël herën e dytë apo të tretë; dhe ii) një proces i dëmshëm relativisht, kur ai nuk kryhet nga PS, PD dhe LSI në mënyrë të njëjtë me aleatët përkatës, sepse ajo parti kryesore që e aplikon, defavorizohet e penalizohet krahasuar (sepse garanton një kryetar partie si deputet, por humbet një mekanizëm apo një vagon për të grumbulluar votat për konfederatën) me atë parti që nuk e aplikon, ndërkohë që ajo parti e vogël që vdes nuk ka më asnjë garanci apo mekanizëm presioni ndaj partisë kryesore; Ky opsion duhet llogaritur me shumë kujdes që të mos ndikojë negativisht në votat e grumbulluara nga aleatët para dhe pas shkrirjes.
Opsioni i ba