Ismaili: Nga java e ardhshme, “Prania Besnike” shtrihet edhe në nivel ministrish

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ “Prania Besnike” do të shtrihet edhe në nivel ministrish, duke nisur nga dita e premte e javës së ardhshme.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se secili ministër do të bëjë të ditur kalendarin e takimeve me qytetarët.
“Duke filluar nga java e ardhshme, nga dita e premte e javës së ardhshme, ‘Prania Besnike’ do të shtrihet edhe në nivel ministrash, ku secili prej tyre do të bëjë të ditur kalendarin e vet të takimeve, për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të qenë një vlerë e shtuar e komunikimit transparent të ministrit direkt me qytetarët”, deklaroi Ismaili.
Sipas saj, takimet do të shërbejnë për të evidentuar dhe ndjekur nga afër problematikat apo çështjet që kërkojnë vëmendjen e ministrit dhe ndërhyrjen e institucioneve.
Ismaili theksoi se kjo nismë synon të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë dhe transparent mes ministrave dhe qytetarëve, duke u dhënë këtyre të fundit mundësi për të adresuar problematikat e tyre pranë drejtuesve të ministrive.
Lidhur me ngritjen e platformës “Pasqyrë Albania”, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, tha se po punohet paralelisht për ngritjen e gjithë sistemit të “Pasqyrës”.
Ismaili theksoi se në vëmendje mbetet ndjekja e problematikave të qytetarëve, pavarësisht se ka nisur tashmë puna me nismën “Prania Besnike”, e cila zhvillohet çdo të premte pranë qytetarëve.
“Ne jemi duke punuar paralelisht për ngritjen e gjithë sistemit të ‘Pasqyrës’. Është patjetër në vëmendjen tonë që, pavarësisht se ka nisur puna sa i përket ‘Pranisë Besnike’ që prej të premtes së javës së shkuar, për të vazhduar çdo të premte dhe për çdo javë pranë qytetarëve, gjithë ndjekja e problematikave të marra prej tyre të bëhet në mënyrë direkte nga deputeti që bën takimet tek institucionet përkatëse”, deklaroi ajo.
Sipas Ismailit, për këtë qëllim po përdoret tashmë një sistem provizor, i cili mundëson ndjekjen dhe evidentimin e problematikave të qytetarëve, natyrën e tyre dhe institucionet ndaj të cilave janë paraqitur më shumë ankesa apo kërkesa.
“Ne tashmë e kemi provizor për të ndjekur dhe për të parë sasinë e problematikave, natyrën e tyre, institucionet që kanë më tepër ankesa ose kërkesa të shprehura, për t’i ndjekur ato deri në zgjidhje”, tha Ismaili.
Ajo nënvizoi se ndjekja e problematikave të qytetarëve është pjesë e detyrës së deputetit, ndërsa nisma synon ta organizojë këtë proces në mënyrë më të strukturuar.
“Kjo është detyrë e çdo deputeti, është ajo çfarë deputeti duhet të bëjë. Ne, në kuadër të një vëmendjeje të shtuar ndaj problematikave dhe qytetarit në vetvete, e kemi menduar për ta organizuar në një formë më të strukturuar”, u shpreh ministrja.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me automjetin që përdor kryeministri Edi Rama dhe nëse përdorimi i tij përbën një kosto për buxhetin e shtetit.
Ismaili tha se është bërë publike më herët se automjeti që përdor kryeministri është marrë me qira dhe pagesa për të kryhet nga buxheti i Partisë Socialiste.
E pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për trafik armësh, ministrja Ismaili tha: “ashtu sikurse e ka guximin që nga pisllëku në të cilin është zhytur të hedhë llum mbi projektet e qeverisë shqiptare, të gjejë guximin, të vijë, të përballet me drejtësinë shqiptare”.
“KAYO është një nga krenaritë për sa u përket projekteve të implementuara nga kjo qeveri dhe që normalisht, sikurse e citova dhe e thashë, më vjen ndot që unë të jap përgjigje për deklaratat e bëra publike nga njerëz të cilët janë zhytur në llumin e tyre”, shtoi ministri.
/gj.m/a.f/