E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, 30% e klasave të jenë nxënës emigrantë



Për çdo 10 nxënës të një klase do të mund të ketë deri në tre nxënës emigrantë. Propozimi ka ardhur nga ministrja e Arsimit të Italisë, Gelmini, pjesë e qeverisjes italiane të qendrës së djathtë, e cila deklaron se do të vendoset një kuotë ku thuhet se sa do të lejohet të jetë numri i nxënësve të huaj në një klasë. Fillimisht, është propozuar se do të jetë deri në 30 për qind të klasës, duke ndihmuar në këtë mënyrë në integrimin e tyre në shoqërinë italiane. Në lidhje me këtë ministrja e Arsimit është shprehur në një media italiane: “Kemi menduar për një kuotë rreth 30 %, - tha Gelmini, - pasi mendoj se shkolla kryen një funksion jo vetëm edukues, por edhe integrues për studentët. Deri tani përvoja ka treguar se nuk është e mjaftueshme vetëm futja e këtyre nxënësve emigrantë nëpër klasa, por është i domosdoshëm edhe integrimi i tyre. Madje mund t’ju them se ka pasur mjaft raste ku ka pasur klasa të përbëra vetëm nga komunitete emigrantësh dhe kjo normalisht që nuk i ndihmon ata që të integrohen. Prandaj mendojmë që është e domosdoshme vendosja e kësaj kuote, duke u nisur edhe nga kushtet në të cilat deri më tani po kërkohej që ky komunitet të integrohej”.

Kjo kuotë do të vihet në jetë, duke filluar vitin e ardhshëm akademik. Mësohet se ministrja e Arsimit u ka kërkuar drejtorëve të shkollave që të organizohen duke marrë masa për vitin e ardhshëm për të bërë një shpërndarje të ekuilibruar të nxënësve emigrantë me ata italianë.

Propozimi

“Përcaktimi i një kufiri prej 30 për qind mbi numrin e të huajve për çdo klasë në shkollat e vendit bëhet me bindjen se një masë e tillë do të ndihmonte fëmijët imigrantë të integroheshin me bashkëmoshatarët italianë”, - deklaroi dje një anëtare e qeverisë.

"Po shqyrtojmë vendosjen e një kuote prej 30 për qind, - deklaroi ministrja e Arsimit, Mariastela Gelmini, për një media italiane. - Ka pasur shumë raste kur klasa të tëra përbëhen nga studentë emigrantë dhe natyrisht kushte të tilla nuk janë ideale për integrimin e tyre", - theksoi ajo.

“Fëmijët e imigrantëve do të mësonin më mirë gjuhën italiane, nëse ata do të mësonin në klasa të përziera me studentët vendas”, - deklaroi ministrja. Përcaktimi i këtyre kuotave është një ndër nismat e qeverisë për imigrantët në Itali, që përfshijnë ligje më të rrepta ndaj imigrantëve të paligjshëm.

Këto nisma kanë përmirësuar pozitat e Kryeministrit Silvio Berluskoni, sipas sondazheve publike, por në të njëjtën kohë kanë provokuar akuza për diskriminim racor. Gelmini është një nga ministrat më të kritikuar në qeverinë e Berluskonit, pasi ka shkaktuar një valë protestash të nxënësve dhe studentëve në Itali me reformat e saj që parashikojnë reduktimin e stafit pedagogjik dhe forcimin e disiplinës në shkolla.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›