E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet: Ligji i amnistisë po zbatohet me korrektësi



Një ditë pasi Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka dërguar një letër ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku i bën me dije se ligji i amnistisë fiskale s’po implementohet drejt dhe se administrata tatimore po i kushtëzon ata, ka ardhur një reagim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. DPT sqaron se lidhur me një shqetësim të ngritur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, të bërë tashmë publik edhe në media, për moszbatimin e saktë të ligjit nr. 9986, datë 11.09.2008, “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk rezulton asnjë rast në të cilin përfaqësuesit e këtij institucioni të kenë dhënë përgjigje apo interpretim zyrtar të ndryshëm nga kushtet e përcaktuara në këtë ligj, si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij. DPT sqaron se rastet e përmendura në letrën e dërguar nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjejnë shpjegim të qartë në ligjin nr. 9986 dhe në udhëzimin nr. 33 dhe administrata tatimore është e vendosur për zbatimin në mënyrë korrekte të ligjit. Administrata tatimore i rikujton tatimpaguesve se kryerja brenda datës 7 prill 2009 e pagesës së detyrimeve të lindura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, iu krijon mundësinë për të përfituar faljen e gjobave dhe kamatëvonesave që kanë lindur apo kanë lidhje me këto detyrime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›