Itali/ Autobusi bie nga mbikalimi, të paktën 21 viktima dhe 15 të plagosur

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën në Itali dhe 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi një autobus doli nga rruga dhe ra nga mbikalimi.
Ngjarje e rëndë u regjistrua në Mestre, provincë e Venecias, ndërsa disa persona rezultojnë të zhdukur.
Sipas “La Republica“, automjeti i aksidentuar ka rënë nga rreth 30 metra lartësi duke përfunduar mbi shinat e trenit dhe më pas ka marrë flakë nga përplasja. Rrethanat e aksidentit nuk dihen ende, ndërsa automjeti po transportonte turistë që kishin qëndruar në një kamping. Linja hekurudhore mes Mestres dhe Venecias u pezullua për shkak të aksidentit.
Pesë prej të plagosurve, mes tyre dy të mitur ndodhen në spitalin e Trevisos, ndërsa një tjetër i mitur është transportuar me ambulancë në spitalin e Padovës. Viktimat ende nuk janë identifikuar, por dyshohet se janë turistë të kombësive të ndryshme.
Kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro shpalli qytetin në zi.
“Një tragjedi e madhe goditi komunitetin tonë këtë mbrëmje. Unë menjëherë shpalla qytetin në zi, në kujtim të viktimave të shumta që ishin në autobusin e rënë. Një skenë apokaliptike, nuk ka fjalë”, u shpreh ai.
Kryeministrja Giorga Meloni po ashtu reagoi duke shprehur ngushëllime.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella, personale dhe të gjithë qeverisë, për aksidentin e rëndë që ndodhi në Mestre. Mendimet e mia shkojnë tek viktimat, familja dhe miqtë e tyre. Jam në kontakt të ngushtë me kryebashkiakun Luigi Brugnaro dhe me ministrin Matteo Piantedosi për ndjekjen e lajmeve mbi këtë tragjedi”, tha Meloni.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme: Ngushëllimeve familjarëve që humbën të dashurit, mendimet tona janë me ta
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka reaguar për aksidentin tragjik në Itali, ku humbën jetën 21 persona dhe 15 mbetën të plagosur.
Ministria shkruan se Shqipëria shpreh ngushëllimet për familjet që humbën të dashurit e tyre, si dhe u uron shërim të shpejtë të lënduarve nga aksidenti tragjik.
“Thellësisht të pikëlluar nga lajmi i aksidentit tragjik në Mestre. Shqipëria shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve të këtij aksidenti tragjik”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Gjithashtu Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se, sipas informacioneve deri tani, nuk ka shtetas shqiptarë në radhët e atyre që kanë humbur jetën.
/rtsh.al/