Itali, ringjallet makthi i biskotës, Spanja garanton
Çështja
Axurrët i frikësohen trukimit të Spanjë-Kroaci 2-2. Prandeli: Duhet të besojmë, jo të dyshojmë
Pas fërshëllimës përfundimtare në Spanjë-Irlandë, të enjten në mbrëmje, një hije dyshimi ka filluar të qarkullojë në ambientet e kombëtares së Italisë.
Frika – Ai që lidhej me vitin e tmerrshëm 2004, Kasa që shënonte kundër bullgarëve, qante nga gëzimi dhe më pas nga dëshpërimi. Sepse fitorja e Italisë rezultoi e kotë, pasi në anën tjetër suedezët dhe danezët, në emër të fqinjësisë së tyre, barazonin 2-2. Pikërisht ajo u quajt biskota skandinave (që në vendin fqinj përdoret si term futbollistik për një marrëveshje jo të shkruar mes dy ekipeve që i shkon për shtat një rezultat i caktuar). Situata në Poloni në Grupin C është identike: Spanja e Kroacia, nëse bien dakord për një barazim 2-2, kalojnë të dyja në turin tjetër, çfarëdo rezultati (në realitet është vetëm një, fitorja) Italia do të marrë ndaj Irlandës.
Llogaritë – E njëjta gjë po ndodh edhe tani me mediat italiane që po përjashtojnë fitoren e Spanjës (sigurisht edhe atë të Kroacisë). Nëse një nga këto skuadra do të fitonte dhe Italia gjithashtu do të fitonte ndeshjen e saj ndaj Irlandës, axurrët klasifikohen si të dytët e grupit. Nëse ndeshja Spanjë-Kroaci përfundon 0-0, Italia klasifikohet si e para e grupit dhe Spanja e dyta. Nëse ndeshja Spanjë-Kroaci përfundon 1-1, Italia klasifikohet nëse fiton me 3 gola diferencë ndaj Irlandës; ose nëse fiton me 2 gola diferencë, duke shënuar të paktën 4 gola; ose nëse fiton 3-1. Në rastin e fundit do të klasifikohej Italia sepse në renditjen e UEFA-s, renditet në vend të katërt, ndërsa Kroacia në vend të shtatë. Çdo barazim 2-2, 3-3, 4-4 etj., e me më shumë gola do të ishte fatal për Italinë, sepse ka më pak gola se Spanja dhe Kroacia në ndeshjet direkte. Në këtë rast Spanja do të përfundonte grupin e para dhe Kroacia e dyta.
Del Boske – Vinsente del Boske nuk parashikon tolerime në ndeshjen e fundit të Grupit C, edhe pse Spanja do të mjaftohej me një barazim ndaj Kroacisë, për të siguruar vendin e parë. Trajneri i kampionëve të botës i lëshon një mesazh në distancë Italisë, duke siguruar të kaltrit se Spanja do ta respektojë këtë kompeticion. Jemi sportivë dhe duam të mundim Kroacinë. Do të luajmë për fitore, pa menduar për një barazim 2-2. Jam krenar dhe i lumtur që mundëm Irlandën 4-0, çka na siguroi të drejtën për tu ngjitur në krye të grupit, theksoi trajneri iberik në konferencën për shtyp.
Prandeli – Ne duhet të besojmë në kalimin në çerekfinale të Europianit përmes lojës së ndershme të të gjitha palëve. Nuk duhet të japim kulturën e dyshimit. Unë i thashë ekipit: vetëm të fitojmë kundër Irlandës dhe do të kualifikohemi, tha Cezare Prandeli, i pyetur rreth mundësisë së një miratimi kolegësh për një ndeshje komode midis Spanjës dhe Kroacisë në raundin e fundit në grup. Ne nuk duhet të shikojmë për justifikime të tilla, por të bëjmë si duhet detyrën tonë. Do të luftojmë në fushën e lojës pa ndjekur polemikat jashtë saj. Spanja është kampione e botës dhe e Europës, ndërkohë që në 10 vitet e fundit ka dhënë shfaqje për tu imituar nga të gjithë. Nuk mendoj se ky ekip ka në mendje të bëjë ndonjë çokë. Pastaj në raste të tilla, monitorimi i institucioneve përkatëse është i lartë, ndaj nuk kam pse dyshoj aspak
Bufon Xhixhi Bufon është i bindur se kombëtarja e tij do ta arrijë kualifikimin për në çerekfinale të Euro 2012. Barazimi me kroatët na ka lënë hidhërim, që do të mbetet të paktën deri në ndeshjen e ardhshme me Irlandën, e cila është vendimtare! Unë jam i bindur se fati ynë varet vetëm nga ne. Nuk do të fillojmë që tani të humbasim energji nervore mbi rezultatet e mundshme të ndeshjes tjetër, shkruan Bufon në faqen e tij në Facebook. Portieri nuk do ta mendojë hipotezën e një çoke midis Kroacisë dhe Spanjës: një barazimi 2-2, që do të garantonte kalimin e dy kombëtareve në fjalë në çerekfinalet e Europianit, duke eliminuar të kaltrit. Ne duhet të mendojmë për veten, të japim një provë force dhe cinizmi ndaj Irlandës, për të vënë mënjanë justifikimet dhe mendimet e këqija. Duke menduar shumë për atë që mund të bëjë Spanja dhe Kroacia, rrezikojmë të mos përgatitemi mirë për ndeshjen tonë të fundit në grup. Të përballojmë me sukses Irlandën, pa pasur dyshime se Spanja do të tolerojë ndaj Kroacisë. Spanja do të luajë për imazhin e vet, sepse është kampionia e Europës dhe e Botës. Siç e kam thënë edhe më parë, Spanja do të jetë Spanjë, për këtë jam i sigurt, prandaj duhet të besojmë te kualifikimi në çerekfinale.
1 ose 2
Spanjë-Kroaci
Nëse një nga këto skuadra (Spanja ose Kroacia) do të fitonte dhe Italia gjithashtu do të fitonte ndeshjen e saj ndaj Irlandës, axurrët klasifikohen si të dytët e grupit
0-0
Barazimi
Nëse ndeshja Spanjë-Kroaci përfundon 0-0 dhe Italia do të fitojë ndaj Irlandës, atëherë axurrët do të mund të klasifikoheshin të parët në grup dhe Spanja e dyta
1-1
Barazimi
Nëse Spanjë-Kroaci përfundon me një barazim 1-1, Italia kualifikohet nëse fiton me 3 gola diferencë ndaj Irlandës; ose nëse fiton 3-1, ose nëse fiton me 4-2
2-2
Barazimet
Çdo barazim 2-2, 3-3, 4-4 etj., do të ishte fatal për Italinë sepse ka më pak gola se Spanja dhe Kroacia në ndeshjet direkte, ndaj italianët do të eliminoheshin
Precedentët
Të gjitha biskotat e së kaluarës
Frika për biskotën futbollistike në Spanjë-Kroaci e ka një burim historik. Nga kombinimi i bujshëm Argjentina-Perù (6-0) i 78 që, në fakt, eliminoi Brazilin, te 2-2 në Danimarkë-Suedi, që largoi Italinë në Euro 2004. Tetë vite më parë Italia protestoi, por UEFA sbëri asgjë. Disa vite më vonë, Bild zbuloi dialogjet dhe shakatë në fushë mes rivalëve. UEFA nuk ndërhyri as pas përmbysjes Dinamo Zagreb-Lion 1-7, rastësisht i vetmi rezultat që i shërbente skuadrës franceze, në ndeshjen e fundit në grup për Champions. Ndodhi, që pas një goli të lionezëve, edhe një shkelje syri e një mbrojtësi kroat për francezin Gomis, dhe në fund humbi Ajaksi, që u eliminua pas këtij akordi. Rast tjetër që bëri bujë ishte Gjermani-Austri në Botërorin 1982: u mjaftonte 1-0 gjermanëve për të eliminuar Algjerinë. Dhe 1-0 doli, me gjermanët dhe austriakët që bënë teatër të turpshëm gjatë gjithë ndeshjes. Shumë polemika, gjithnjë në Botërorin e atëhershëm të Spanjës, prodhoi edhe sfida Itali-Kamerun: përfundoi 1-1, me Italinë e kualifikuar dhe afrikanët e lumtur që shkonin në shtëpi pa humbje. I goditur ishte edhe 12-1 i Spanjës ndaj Maltës në eliminatoret e Francë 84, një goleadë që dëmtoi Holandën. Një Itali e tërë shpreson që të mos ti shikojë ti shtohet këtij klasifikimi një histori e re.
Itali, ringjallet makthi i biskotës, Spanja garanton burimi: Gazeta Shqip