E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shqiptari vret ish-gruan dhe të dashurin e ri të saj

ITALI – Vrasje e dyfishtë në Akuila të Italisë. Një shqiptar ka vrarë ish gruan dhe të dashurin e ri të saj në parkingun e një qendre tregtare.

Ngjarja është cilësuar sipas policisë italiane, për motive pasionante. Të tre personazhet e përfshirë në ngjarje janë shqiptarë.

48-vjeçari Burhan Kapllani ka qëlluar ish-gruan e tij, Mirjeta Boshti 36 vjeç ndërsa kjo e fundit gjendej brenda makinës tip Opel. I dashuri i ri i saj, Shpëtim Hana është qëlluar në shpinë, mbase në një tentativë për t’u larguar.

Pas vrasjes së dyfishtë autori është dorëzuar në polici. Shqiptari po merret në pyetje në kazermën e karabinierëve të Paganika, në komunën e Akuilës që gjendet pranë qendrës tregtare.

Pistoleta e përdorur në vrasjen e dyfishtë e kalibrit 22 milimetra gjetur nga karabinierët pranë rrugës shtetërore numër 17, në fraksionin e Bazzano-s, ku ndodhet edhe një supermarket.

Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje disa dëshmitarë të ngjarjes për të ndërtuar dinamikën e vrasjes së dyfishtë, ku shqiptari i mori jetën ish-gruas dhe të dashurit të saj.

*Foto, qendra tregtare pranë së cilës ndodhi vrasja e dyfishtë

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›